Analfabetizmi ‘këmbëkryq’ në Shqipëri/ 44 mijë persona nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë

Shqipëria numëron mbi 44 mijë analfabetë në të gjithë vendin që nuk dinë as shkrim dhe as këndim sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) që i takojnë vitit 2018.

Nga totali i analfabetëve 7 për qind ose mbi 3000 persona i përkasin moshës nga 15-24 vjeç. Të dhëna më të detajuara tregojnë se analfabetizmi është i përhapur më së shumti në komunitetin Rom dhe në personat më aftësi të kufizuara.

Matjet e UNESCO-s për analfabetizmin i referohen popullsisë në moshë punë me mbi 15 vjeç. Kjo e dhëne tregon se një pjesë e popullsisë në moshë punë nuk gëzon aftësinë më elementare. Popullsia e rritur analfabetë zë 2.3 për qind të popullsisë në moshë pune.

Arsimi në Shqipëri është i detyrueshëm deri në moshën 16-vjeçare, por përafërsisht vetëm 92% e nxënësve mbarojnë arsimin bazë dhe vazhdojnë studimet në nivelin e mesëm.

Edhe pse shkalla e regjistrimit të fëmijëve në moshë shkollore në vendin tonë është mbi 99%, ka prova se shumë fëmijë nuk regjistrohen në shkollë ose nuk arrijnë të përfundojnë arsimin bazë.

Një analizë më e detajuar e UNICEF referon se arsyet pse fëmijët lënë shkollën para përfundimit të klasës së 9-të janë të shumta. Presioni për të kontribuar në të ardhurat e familjes, presioni për t’u martuar dhe për të krijuar familje, presioni i familjes për të kontribuar në punët e shtëpisë dhe për t’u kujdesur për motrat dhe vëllezërit më të vegjël apo të afërmit, largësia nga shtëpia në shkollë, veçanërisht në nivelin e mesëm të ulët etj. Në disa raste ekstreme, braktisja e shkollës vjen prej fëmijëve të trafikuar ose të shfrytëzuar. Arsye të tjera pse disa fëmijë nuk regjistrohen në shkollë janë: aftësia e kufizuar, migrimi dhe varfëria ekstreme.

Para viteve ’90, braktisja shkollore ka qenë një tregues që ka ardhur në ulje nga viti në vit. Kështu, nga 1.42 për qind që ka qenë në vitin shkollor 1983-1984, në vitin shkollor1987-1988 gati është përgjysmuar, duke zbritur në 0.76 për qind. Shkolla braktisej kryesisht nga nxënës të klasave të larta të arsimit 8-vjeçar, kurse numri i nxënësve braktisës në klasat i-IV ishte i papërfillshëm.

Pas vitit 1990, braktisja e shkollës rezultoi në tregues më të lartë, të paparashikuar. Modelet negative të pasurimit të shpejtë ndikuan natyrshëm te nxënësit që nuk ishin të suksesshëm apo që kishin vështirësi në të nxënë. Këtij mentaliteti iu shtuan dhe indiferentizmi për sensibilizimin e komunitetit për rolin dhe domosdoshmërinë e shkollimit, si dhe neglizhencat për zbatimin e ligjit për arsimin e detyrueshëm. /Monitor

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME