Emisioni “Stop” shkoi në fshatin Gramëz të Fushë-Krujës, në familjen Dobrozi, pasi Elona 38 vjeç e cila është paralizuar që në lindje, ka një problem me pagesën e Kempit.
Gjyste Dobrozi, nëna e Elonës, tregoi se prej më shumë se 20 vitesh, ajo përfiton pagesën e Kempit si paraplegjike dhe prej 12 vitesh ajo vetë përfiton kujdestarinë për vajzën.
“Kam fëmijën e sëmurë, ka që kur ka lindur e paralizuar. Vajza ka më shumë se 20 vite që merr Kemp”, tha e ëma.
Si çdo vit kanë bërë rinovimin e letrave në muajin prill 2020, por në muajin Tetor i është ndërprerë pagesa e Kempit dhe kujdestaria. Në njësinë administrative dhe në Tiranë i thonë, se dosja është duke u verifikuar. Prej Tetorit 2020 Gjystja dhe Elona janë pa asnjë të ardhur, megjithëse vajza ka nevojë për ilaçe dhe terapi.
“Kemi rinovuar letrat në Prill, kemi marrë deri në Tetor. Na i kanë shkëputur që atëherë, nuk na i kanë sjellë fare pensionet, as mua, as gocës. Veç për verifikim na thonë. Ne e kemi marrë kaq kohë Kempin dhe tani thonë që jemi duke verifikuar. Ne veçse që kena tokën. S’kemi asnjë lloj të ardhure. Gocën e çoj me terapi, i bëj terapi. Asnjë gjë nuk marrim. Kërkojmë që të marrim lekët që na takojnë”, tha nëna.
Emisioni Stop u drejtua në Njësinë Administrative të Thumanës. Aty thuhet, se dosja ka shkuar në Kemp EPROR, pasi ka dalë me divergjenca.
Punonjësi: Dosja është me divergjencë në Kemp Epror.
Gazetarja: Pse është me divergjencë?
Punonjësi: E kanë komisionuar ata të Kempit të Nivelit të parë. E kanë çuar me divergjencë.
Gazetarja: Ju kanë sjellë ndonjë fletë, pse ka dalë me divergjencë? Me divergjencë ça do të thotë?
Punonjësi: Me divergjencë do të thotë, që nuk janë dakord, kanë paqartësi ato. Do ta thirrin prapë edhe…
Gazetarja: Kanë paqartësi për dosjen?
Punonjësi: Po!
Gazetarja: Po dosjen e keni nis ju?
Punonjësi: Dosjen e kemi nis ne.
Gazetarja: Po ca ka për paqartësi, kur ka më shumë se 20 vite, që merr kemp? A i keni nis të dhënat në rregull ju?
Punonjësi: Po, të gjitha ca ka dosja. Ato nuk e njohin rastin dhe do e thirrin tek kempi Epror, të paraqitet dhe personi vetë. Ata nuk e njohin personin fizikisht, prandaj e kanë kaluar kështu.
Gazetarja: Edhe të gjitha dosjet, kështu i kanë nxjerrë?
Punonjësi: Dy dosje, që kam nis unë. Jo të gjitha.
Gazetarja: Po pse të gjitha rastet e tjera i njihnin, që kanë qenë “ok”? Që i kanë dhënë “ok”?
Punonjësi: Po kanë ardhur pozitive. Nuk është pjesë e imja. Është e komisionit ajo. Prandaj e vlerësojnë ato.
Gazetarja: Po, ngaqë u përgjigje ti për komisionin dhe the ngaqë s’e njihnin si rast, prandaj e kanë nxjerrë me divergjencë.
Punonjësi: Kështu na kanë thonë tani./tvklan.al