E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë Xhoana Sinanaj, 24 vjeçe, nga Kuçova. Kur ishte vetëm 1 vjeç, prindërit e saj u ndanë sepse kishin probleme mes tyre. E ëma u martua sërish ndërsa babai i ka vdekur përpara disa vitesh. Kur ishte 16 vjeç, familja e lidhi me shkuesi me një djalë nga Durrësi, por celebrim nuk bënë dot pasi Xhoana ishte nën moshë.
Ajo jetonte në Durrës së bashku me familjen e tij. Nga martesa e tyre erdhi në jetë një vajzë, e cila sot është 5 vjeç. Por në fillimet e martesës ajo u përball me disa probleme, ku një prej tyre ishin tradhtitë e shpeshta që bashkëshorti i saj bënte me vajza të tjera. Ai shprehej se ishte i detyruar të shkonte me të tjera që t’i marrte Lekë dhe të mbante familjen.
Mirela Milori: Në moshën 16 vjeç t’i martohesh, me dashuri?
Xhoana: Jo me shkuesi, hyri halla e mamit.
Mirela Milori: Nuk e vazhdove gjimnazin, doje ta vazhdoje?
Xhoana: Shumë, ditën e parë që kanë shkuar shoqet e mia unë kam qarë.
Mirela Milori: Pse nuk shkove dot?
Xhoana: Jemi romë, e vajza nuk është për më tej.
Xhoana tregon se meqë është rritur me gjyshërit, gjyshi i saj në atë kohë ishte shumë sëmurë dhe kishte një peng që ta shihte Xhoanën nuse sepse ai e kishte rritur si fëmijën e tij dhe jo si mbesën.
Xhoana: Më martuan dhe unë nuk ia prisha fjalën, sado e vogël që isha thashë t’ja plotësoja atë dëshirë. Nuk e dija se çfarë ishte martesa, e dija shesh me lule, por më vonë e kuptova sa e vështirë është. Bashkëshorti ishte 22 vjeç nga Durrësi.
Mirela Milori: Kur e pe për herë të parë çfarë të shkoi në mendje?
Xhoana: E kam pëlqyer si pamje.
Xhoana tregon se vështirësitë filluan në martesën e saj sepse varfëria ishte e madhe, ka qëndruar me ditë të tëra pa bukë, duhej të punonte shumë, madje duhet të duronte dhe tradhtitë nga bashkëshorti.
Xhoana: Më tradhtonte, më thoshte detyrohem sepse nuk mundem të punoj, por shkoj me këtë vajzën që t’i marr Lekë për t’ju ushqyer juve në shtëpi.
Mirela Milori: Si e përpunove ti këtë gjë?
Xhoana: E pranova për momentin sepse thashë hë se nuk është problem, sepse nuk arrija të kuptoja se çfarë është burri dhe tradhtia në atë kohë. Më vonë fillova ta kuptoja që ikte me ditë, vonohej natën dhe thashë çfarë po bëhet. Unë i thashë që nuk dua që ti të dalësh me një tjetër, nuk dua të hyjë dikush tjetër mes nesh. Aty hoqi dorë, filloi që të kërkonte punë.
Mirela Milori: A të donte?
Xhoana: Tre muaj pas martese më shprehu ndjenjat dhe më tha që më donte. /tvklan.al