“I kishte dalë një kokërr”/ Flutura Açka rrëfen si e zbuloi sëmundjen e djalit

E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë shkrimtarja e njohur Flutura Açka e cila do jetë dhe deputete e parlamentit së shpejti.

Ajo ka folur gjatë si rrallë herë në këtë intervistë ku tregoi më shumë për jetën e saj personale dhe profesionale.

Në një moment u ndal dhe tek fëmijëria e djalit të saj të ndjerë dhe tregon se për një kohë të gjatë ka jetuar në Shqipëri me djalin për t’i mësuar shqipen, pasi bashkëshorti i saj është holandez dhe jetonte në Holandë.

Shkrimtarja ka ndarë me publikun momentin e saj më të dhimbshëm, atë të humbjes së djalit, si e zbuloi sëmundjen e tij dhe si arriti që ta përballojë një tragjedi të tillë.

Flutura Açka: Në ato vite më është dashur që djalin ta mbaj në Shqipëri, sepse e kisha shumë problem që ai të mos e fliste shqipen.

Mirela Milori: Kur erdhi në jetë djali?

Flutura Açka: Ka qenë viti 2000, djali në 24 Maj tani do të mbushte 21 vite.

Shkrimtarja ka treguar se djalin e ka lindur në Holandë dhe se ka rritur një djalë shumë të mbarë, ishte shumë i urtë dhe i qetë. Kur lindi kishte dy sy të mëdhenj dhe mamia që e priti në jetë, i tha që do bëhet një djalë shumë i hijshëm. Ajo filloi të jetonte në Shqipëri me djalin sepse dëshironte që t’i mësonte shqipen.

Flutura Açka: Ne shkonim shpesh në Holandë gjatë pushimeve ose vinte Riçardi. Pushimet verore kanë qenë shumë të gjata, në Holandë udhëtoja shumë shpesh. Jerin fliste shumë mirë shqip, shkruante shqip dhe artikulonte shqip shumë mirë. Unë kam komunikuar me të vetëm shqip.

Mirela Milori: E respektoj shumë këtë gjë tënden. Përpjekja ime e vazhdueshme me djalin tim, është ta bëj këtë, nuk i kam mësuar dot të lexojë dhe të shkruajë, unë flas shqip, por ai më flet anglisht, por ai kupton vetëm gjuhën e nënës, Gjuhën Shqipe, po të flasin të tjerët ai nuk kupton.

Flutura Açka: Unë doja që ai të lexonte veprat e mia nga origjinali, do vinte një ditë që do përktheheshin, por doja që të më lexonte mua, të më ndjente shqip. Sepse sado që ta përkthesh, prapë së prapi kurrë nuk mund ta japësh emocionin siç është. Fiksimi pas kësaj gjëje, djali i një shkrimtare që shkruan shqip, të mos lexojë nënën e tij, këtë gjë nuk ia pranoja vetes time.

Mirela Milori: Çfarë talenti kishte djali?

Flutura Açka: Unë një pjesë të djalit e kam njohur, pasi ai iku. Mënyrën e tij të artikularit e kisha parë, por esetë e tij të shkollës nuk më kishin rënë në dorë. Ishte tejet modest dhe i tërhequr, në promovimet e mia nuk ka qenë kurrë. Ai më shumë është shfaqur pasi më ka ikur në jetën time sesa më përpara. Ishte shumë i kujdesshëm, thoshte mami unë dhe babi jemi vetëm prapavija jonë, ti ke jetën tënde, na mbaj larg. Ka qenë një djalë modest, por me kokën plot.

Mirela Milori: Vjen një moment shumë i vështirë, çfarë ndodhi me Jerin, me juve, pse iku?

Flutura Açka: Ishte Dhjetori i vitit 2016, ku unë i prisja të vinin në Shqipëri sepse në atë kohë presidenti i Republikës më akordoi një titull “Mjeshtri i Madh” dhe më njoftuan që do bëhet ceremonia në këtë datë. I prisja babë e bir të vinin në Shqipëri dhe më merr në telefon atë ditë që do i dilja në aeroport im shoq dhe më thotë që ne nuk vijmë dot, sepse duhet të shkojmë në spital.

U trondita, i thashë pse, e tha që i ka dalë një kokërr djalit në shpinë. Atë ditë që kam marrë çmimin unë kam qenë një gjë e zbehtë, një gjë pa ngjyrë sepse kishte filluar trembja e nënës. Më pas edhe ambasadorja e Holandës bëri një mbrëmje, erdhi afër dhe më tha: “Po sa djalë i mençur. Ky do jetë një ambasador i ardhshëm i kulturës shqiptare, sa mirë më vjen moj Flutur sepse di dhe Shqip, Anglisht dhe Holandisht. Çfarë djali të mirë paske”. Mua m’u thye diçka në shpirt kur më tha këtë ambasadorja.

Iku ky moment, u nisëm për në Holandë në fillim të Janarit, pastaj filloi ferri. Disa muaj kemi jetuar edhe me atë ndjesinë që ia hodhëm, por nuk ia kishim hedhur. Shpresa deri në momentin e fundit vazhdonte të mbinte në plagën time deri në 5 Maj të vitit 2018, 18 ditë, 18 orë para se të mbushte 18 vjeç. Në fund të Marsit, doktorët i ndërprenë ilaçet dhe nuk kishte më kuptim asnjë gjë. Kanë qenë javë të çuditshme, javë ku tim biri i është dashur të më mbajë mua, të më mësonte që të kuptoja që do të vinte një ditë që ai nuk do të ishte dhe unë duhet të isha e përgatitur për atë ditë. Ka qenë universitet më vete, unë s’kam ditur asnjë gjë, sepse njeriu para dhimbjes njeriu është tjetër njeri dhe aty e kam kuptuar se çfarë është jeta.

Kur ju më thoni deputete, unë nuk kam asnjë ambicie për asnjë gjë, përveç ambicies së mirë për të bërë diçka. Nuk kam asnjë interes, as paraja, asnjë gjë, e kam arritur fundin, atë kuadratin që mund të jetë ngopja e njeriut, s’kam nevojë më për asnjë gjë, sepse gjënë më të çmuar nuk e kam më.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME