Mikele Riçi prej dy vjetësh punon tokat e marra me qira në fshatin Kropisht në Vlorë. Toka është pasioni i dytë shqiptar për 45-vjeçarin, pasi prej 12 vjetësh është dhëndër në vendin tonë.
Nusen e ka marrë nga Vranishti dhe prej bashkëshortes vinte çdo vit në Shqipëri. Dhe njësoj si bashkombasi i tij shkrimtari Indro Montaneli teksa vizitonte Shqipërinë në vitet ‘40 edhe Mikele pa me dëshpërim ngastra të braktisura, ku siç thotë ai nuk mund të lëshosh as bagëtitë për të kullotur
“Në Itali nuk punohet më sepse jemi në një regjim komunist që mbron kë nuk punon në dëm të atij që punon , burokracia po na vret dhe kjo është pse vendosa të mos jetoj më në Itali”, thotë ai për Top Channel.
Prej dy vitesh vendosi të mbjellë grurë, elb e tërshërë .
“Kam njohur mjaft njerëz dhe kam raporte shumë të mira me banorët e zonës. më kanë pritur shumë mirë dhe kjo është përse kam vendosur të jetoj këtu. Terrenet i kam gjetur të braktisura dhe duhen punuar e duhet të kujdesesh, janë toka shumë të mira. Nëse punon ia del dhe nëse kujdesesh pak prodhon grurë siç duhet. por punëtorët që dinë të bëjnë vërtetë punën janë të paktë”.
Krejt i i vetëm ai ka arritur të marrë me qira dhe të punojë gati 100 hektar tokë. kërkon të marrë kredi dhe subvencione.
“Nga qeveria kërkoj që të krijojë struktura të posaçme shtetërore dhe private në mënyrë që bujku të mos detyrohet të shesë për katër lekë, sepse nuk ka ku të ruhet e të magazinohet gruri dhe nëse nuk krijohen këto struktura nuk do të ketë një të ardhme për bujkun që merret me drithëra. Nga eksperienca ime, kur ishin kohët që Italia u rrit, kishte financime shtetërore nga banka me interesa të ulëta, ku jepeshin hua agrare dhe merrje paratë. në momentin e shitjes se produktit i ktheje, por duhen garanci që shteti i jep në banka”.
Ai shpreson ende në një modernizim të bujqësisë shqiptare ku vëren për fat të keq se gruri ruhet ende si 60 vjet më parë nën mëshirën e tekave të motit.