Për të shpëtuar sezonin e turizmit, qeveria në Athinë planifikon duke nisur nga 15 korriku t’u paguajë 150 euro të rinjve që vaksinohen. Por jo të gjithë të rinjtë grekë e shohin pozitivisht këtë.
Rruga para klubit “Chelsie” në Athinë është mbushur plot. Sipas rregullit nuk duhet të qëndrosh para klubit që nga koha e pandemisë, por vetëm në ulur në stolat që janë vendosur me distancë ndaj njëri-tjetrit. Klientët e “Chelsie”, të rinj nga mosha 20-30 vjeç duket se e kanë harruar këtë.
Është verë, nxehtë, kohë për party, frika nga virusi nuk është më aq e fortë, ashtu si edhe vullneti për t’u vaksinuar. Në vend të 100.000 vaksinimeve në ditë ritmi i vaksinimit në Greqi ka rënë në 85.000. Prandaj qeveria në Athinë po përpiqet tani të inkurajojë qytetarët për vaksinat duke ofruar shpërblime në para. Nga 15 korriku të gjthë të vaksinuarit nën 26 vjeç do të marrin një shpërblim prej 150 eurosh. Kjo shumë do të jepet me vaksinimin e parë dhe mund të përdoret për bileta fluturimi, udhëtime me anije, për pushime apo për koncerte. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis bëri fjalë për një “pasaportë lirie”, nga e cila mund të përfitojnë rreth 940.000 të rinj.
“Ideja është e mirë. Kështu mund të kaloj një fundjavë në ndonjë ishull”, thotë Marialena, një 20-vjeçare që pi birrë në “Chelsie”, e pavaksinuar deri tani. Pas fjalimit të kryeministrit grek, që tha “se shteti do të shpërblejë qytetarët për sjellje të përgjegjshme”, Marialena kërkoi një orar për vaksinën.
“Paturpësi”
Kurse një çift ulur pranë Marialenas nuk është aspak dakord me kryeministrin. “Kjo është paturpësi. Ne jemi vaksinuar, sepse e menduam se ishte e drejtë. Nuk kishim nevojë për shpërblim”, thotë Kostas 24 vjeçar, të cilit iu desh të bëjë 140 kilometra rrugë nga Athina në qytetin bregdetar Nafplion për t’u vaksinuar. Kurse shoqja e tij, Krisanthi shton, se ata që nuk duan të vaksinohen nuk do ta ndryshojnë mendimin edhe nëse marrin para.
Ndërsa për Nenën në klubin aty afër “Ramon” këto 150 euro janë thjesht “ryshfet i pastër”. 25 vjeçarja është e zemëruar. “Paratë qeveria duhet t’i investojë për më shumë autobusë që të mos ngjeshemi si sardele dhe të mos infektohemi.”
Nenë, i duhet të shkojë me autobus në punë e të ndërrojë dy herë linjën. Autobusët janë gjithmonë plot, thotë ajo, dhe shpesh njerëzit nuk e mbajnë maskën ose nuk e mbajnë si duhet. Ajo ka kritika edhe për qytetarët më të moshuar. “Ne patëm kujdes një vit, që të mbronim prindërit dhe gjyshërit tanë, dhe tani ku ka mundësi për t’u mbrojtur shumë prej tyre nuk vaksinohen.”
Në Greqideri në 2 korrik ishin vaksinuar vetëm 62% e banorëve të moshës 50-60 vjeç, megjithëse ka dy muaj që ata kanë mundësi të marrin një orar. Deri më 5 korrik në Greqi ishin vaksinuar plotësisht gati 4 milionë banorë, shumë më pak se pritshmëria në fillim të fushatës së vaksinimit.
Përparësi për të vaksinuarit
Krahas dhuratës 150 euro, qeveria ka menduar disa përparësi për ata që janë vaksinuar plotësisht dhe kufizime për ata që nuk vaksinohen. Nga 15 korriku gastronomët mund të vendosin vetë, nëse mund të lejojnë vetëm të vaksinuar në lokalin e tyre me një kufi kapaciteti deri në 85% apo të kenë “hapësira të përziera” me përdorim 50% të kapaciteteve.
Do të ketë dy mundësi diferencimi, thotë ministria përkatëse. Mes lokaleve “Covid free”, ku lejohen vetëm plotësisht të vaksinuarit dhe të shëruarit dhe atyre me “hapësira të përziera”, që mund të prenotohen edhe nga ata që nuk janë vaksinuar. Krahas gastronomisë edhe atraksionet e kohës së lirë mund të vendosin vetë për formën e mbrojtjes nga Covid-i.
Lina Haritou, gastronome e “Ramon”, thotë se nuk do të kontrollojë se kush është vaksinuar apo jo. Vetë ajo është vaksinuar, dhe përpiqet të bindë edhe punonjësit e tjerë që të vaksinohen, por ka mendimin, se ideja e “Covid free” ka një shije të keqe. “Nuk kemi nevojë për më shumë diskriminime”, thotë ajo. “E me sa di, nuk ka detyrim për vaksinim.” Para tre javësh ministri i Ekonomisë, Adonis Georgiadis tha në televizion, se punëdhënësit mund të pushojnë nga puna ata që refuzojnë vaksinën, por këtë e hodhi menjëherë poshtë një zëdhënëse e qeverisë.
Këtë verë Greqia ka marrë përsipër të paktën të sigurojë 50% të të ardhurave të supervitit turistik 2019, që pa kroçerat arrit shifrën e 18 miliardë eurove. Por turistët nga Angia nuk ka ardhur ende, gjermanët sapo kanë filluar të vijnë. kurse rusët vijnë me shumë hezitim. Arsyeja: të vaksinuarit në Greqi gëzojnë gati të gjitha liritë, por vaksina ruse “Sputnik V” nuk njihet. Kështu ëndrra për një verë të mirë turistike mund të mbetet vetëm ëndërr./DW