Një hua e pretenduar prej 25 mijë eurosh, ka future në sherr dy miq. Konflikti me Gëzimit dhe Janit u trajtua në seancën e ndërmjetësimit në emisionin “Shihemi në Gjyq”.
Gëzimi, i cili ka thërritur në seancë një ish-mikun e tij pretendon se i ka dhënë 25 mijë euro Janit 10 vite më parë për një operacion që donte të bënte ky i fundit.
Asokohe, Jani ndodhej në një gjendje të rëndë shëndetësore e cila i rezultoi edhe në koma. Gëzimi ishte vartës i Janit dhe shprehet se nuk ka asnjë ankesë ndaj tij, por huaja e pakthyer ka çuar në acarimin e marrëdhënieve të tyre.
Teksa Gëzimi pretendon se i ka dhënë shumën prej 25 mijë eurosh, Jani e mohon kategorikisht t’i ketë marrë.
Pjesë nga debati:
Gëzimi: Ndenji shumë kohë në koma. Ndenji 123 ditë në koma.
Eni Çobani: E keni diskutuar përpara kësaj seance me njëri-tjetrin këtë bosht? E ke takuar ndonjëherë zotin Jani?
Gëzimi: Ka shumë vite që s’e kam takuar.
Jani: Për mua këto janë gjëra të kota. Se këtë faqe nuk e ka nxirë njeri. Unë kam pasur punë në Greqi.
Gëzimi: Edhe kur u takuam para 3 muajsh…
Jani: Ku më gjete ti mua? Ku jemi takuar? A të thashë “hajde me mua”?
Gëzimi: “Më the se unë e dija që m’i dhe dhuratë këto lekët”.
Eni Çobani: Pra, të ka thënë “dhuratë”? 25 mijë Euro dhuratë?
Jani: Nuk bën vaki në botë. Vetëm gënjen e mashtron. Unë t’i kem marrë atij lekë? Nuk ka shanse, nuk bën vaki.
Gëzimi: Unë nuk shkova te noterja se ky më tha “do të ta shpërblej”.
Jani: Ik ore, s’të vjen turp. Haram të qofshin paratë e mia.
Edhe pse thotë se nuk është noterizuar një hua e tillë, Gëzimi pretendon se një zonjë që kujdesej për Janin është në dijeni të parave.
Dokumentet e saj të identifikimit i ka Jani, pasi thotë se ajo ka qenë me të në momentin e aksidentit, por zonja në fjalë nuk dihet ku ndodhet. Së fundmi, seanca e ndërmjetësimit nuk shërbeu për pajtimin e Gëzimit dhe Janit.