Nuk do u kërkohet test Covidi apo certifikatë vaksinimi, Mali i Zi ‘përjashtim’ për turistët nga Shqipëria dhe vendet e rajonit

Mali i Zi ka njoftuar se hyrja e qytetarëve të rajonit në këtë vend mbetet i pakushtëzuar dhe se në kufijt malazez nuk kërkohet asnjë dokument që lidhet me pandeminë, përfshirë testin e koronavirusit apo certifikatën e vaksinimit.

 

Hyrja e pakushtëzuar vlen për banorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe për qytetarët malazez që udhëtojnë nga këto vende.

Më herët Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar e Kosovës, në faqen e saj në Facebook ka njoftuar për vendimin e Malit të Zi duke thënë se “për të hyrë në Malin e Zi secili qytetar duhet të ketë me vete një nga katër provat, dëshmi të vaksinimit, testin negative apo atë antigjen”. Kjo Qendër nuk kishte sqaruar në njoftimin e saj se ky rregull nuk vlen për qytetarët e Kosovës. Postimi më pas është fshirë nga faqja e këtij institucioni.

Në fakt sipas Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, kufizimet në qarkullim vlejnë për të gjitha vendet tjera, përveç atyre të rajonit ku përfshihet edhe Kosova.

 

“Nëse një person nuk ka asnjë nga këto katër dëshmi (vaksinimin me një ose të dyja dozat, një test negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se e ka kaluar COVID-19 ose një test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë), ai dërgohet në një izolim katërmbëdhjetë ditor që mund të përfundojë pas ditës së gjashtë të hyrjes në Mal të Zi përmes një testi PCR negativ”, tha drejtori i Institutit, Igor Galiq.

 

Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 24 gusht. Galiq tha se situata epidemiologjike në Mal të Zi po përkeqësohet dhe kërkon masa shtesë. Më 19 gusht, Mali i Zi regjistroi 532 të infektuar me koronavirus, dhe pesë viktima.

 

E pyetur nga gazetarët për arsyen e përjashtimit të vendeve të rajonit nga masa e kufizimit të hyrjes në Malin e Zi, ministrja e Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Millena Lipovina Bozhoviq tha se aktualisht nuk ka rrezik epidemiologjik nga ato vende si dhe, sipas saj, përfitimi ekonomik i një vendimi të tillë është i madh për shkak të sezonit turistik.

 

“Pa një ekuilibër midis shëndetit dhe ekonomisë, nuk ka as shëndet dhe as ekonomi”, tha Bozhoviq, duke shtuar se Mali i Zi nuk mund të përballojë edhe një tjetër sezon turistik nën izolim të plotë.

 

Masat e reja, që përfshijnë edhe disa kufizime brenda Malit të Zi janë të vlefshme deri më 10 shtator.

/REL

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME