Një rol filmi apo teatri mund të të ngrejë si hero në sytë e njerëzve, por mund të të shndërrojë edhe në një figurë të rrezikshme apo të frikshme.
Aq e madhe është forca sugjestionuese e kinemasë, saqë mund të lërë pasoja në jetët e njerëzve. Kështu ka ndodhur edhe me Bujar Asqeriun, që nga “Njeriu i mirë Telo” u shndërrua në një figurë të frikshme edhe për vetë miqtë e tij. Aktori Bujar Asqeriu ka zbuluar detaje nga jeta personale, traumat familjare dhe karriera e tij si artist.
Në emisionin “Përballë’ në “Digitalb”, Bujar Asqeriu tregoi si nisi karriera e tij në një familje që nuk kishte lidhje me artin dhe se si nisi të spikaste që në vitet e shkollës. Por jeta e Asqeriut nuk do të ishte e thjeshtë.
Ishte vetëm 13 vjeç kur e la e ëma dhe në vit të parë në Institut kur i vdiq i ati. Aktori tregon për traumën që i lanë këto ngjarje dhe si ndikuan në ndjeshmërinë e tij aktoreske. Ai tregon gjithashtu se sa shumë kanë ndikuar rolet e tij në mendimin që të tjerët kishin për të.
Ai ndalet te filmi “Jeta në duart e tjetrit”. Sipas Bujar Asqeriut, një mik i fëmijërisë, pasi ka parë filmin, e ka akuzuar se i ka ngacmuar bashkëshorten. Ndërkohë që shton se reagime të shumta kishte dhe nga radhët e intelektualëve të kohës, të cilët i shpreheshin se ai duhej mbajtur larg shtëpive të tyre.
“Efektet e këtij filmi i mora në mënyrë të menjëhershme dhe këtu ne Kinostudio pati pëshpërima, por edhe miqtë e mi, intelektualë, me universitet, me punë të mira, më thoshin: ‘Ti je i frikshëm. Ti s’duhesh futur në shtëpi!’. Po pse u thosha unë? ‘Në asnjë mënyrë!
Unë s’të fus në shtëpi’. Ndërkohë që një mik fëmijërie kishte arritur deri aty sa e kishte akuzuar se i kishte ngacmuar bashkëshorte. ‘Më ke ardhur në shtëpi, më ke parë gruan nga këmbët. Të zhdukeni me gjithë familje, të mos rrini më këtu! Të zhdukeni nga Vlora!’”.