Në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, erdhi rasti i Adrianit dhe Josifit.
Dy ish-miq emigrantë në Suedi që sot ndodhen në një konflikt të thellë për një pronë. Dy vite më parë, Adriani i la në përdorim Josifit banesën e tij në Fier. Arsyeja që e bëri këtë ishin problemet ekonomike të Josifit dhe fakti që ai nuk ka një banesë të tijën pasi e ka humbur nga një divorc në vitin 2005.
Josifi ka dy vite në këtë banesë dhe nuk paguan shpenzime, por tashmë Adrianit i ka ardhur një mundësi për ta dhënë me qera për një laborator dentar, me një vlerë prej 30.000 lekësh në muaj.
Ndonëse ai ia ka ofruar Josifit mundësinë e mbajtjes së shtëpisë në rast se i paguan një detyrim mujor, ai nuk pranon, ashtu siç refuzon të largohet.