Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur dje, ka marrë vendim për masat e reja për luftimin dhe parandalimin e COVID-19, masa këto të cilat kanë hyrë në fuqi sot (13 shtator) dhe do të zgjasin deri më 26 shtator.
Në mesin e masave që ka ndërmarrë Qeveria është shtyrja e procesit mësimor edhe për dy javë, si dhe mbyllja e çerdheve.
Qeveria ka paraparë që familjet me fëmijë të regjistruar në çerdheve prindërit e të cilëve janë të punësuar, njëri nga ta të lirohet nga obligimi për tu paraqitur fizikisht në punë gjatë kësaj periudhe.
“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.
Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021″, thuhet në vendim.
Po ashtu në vendim theksohet se Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe Gjatë ngrënies apo pijes. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00.