Një sherr familjar, që nisi për faturën e ujit mes qytetarit Ramadan Lisha, 62 vjeç, dhe bashkëshortes së tij, në verën e 2020-ës ishte vetëm nisja e një konflikti, që përfundoi me një akt korruptiv. Ramadan Lisha u dënua me 8 muaj heqje lirie.
Që nga ky moment ai shkëputi lidhjet me fëmijët, vajzën dhe djalin emigrant ilegal në Angli. Pasi përfundoi dënimin, Ramadani bashkë me policin e zonës, shkoi në shtëpi, për të marrë rroba dhe para, pasi në banesë nuk mund të kthehej të jetonte për shkak se ishte në fuqi një urdhër mbrojtjeje.
Në këtë moment mëson, se vila 2-katëshe dhe trualli ishte shitur, nga i biri pa u kthyer fare në Shqipëri.
“Unë nuk e dija fare, u lirova nga burg. Nuk gjeta asnjë nga familjarët. Më thanë që kishin shitur shtëpinë dhe ishin larguar nga Shqipëria”, tregon ai.
“Stop” zbulon se djali i tij Arditi, autorizoi përmes një prokurë nënën e tij Rukije, e cila e legalizoi, hipotekoi dhe e shiti vilën në emër të djalit të saj, duke paguar në Kadastrën e Tiranës, në sektorin, që mbulon Laknasin.
Tashmë Ramadani është pa një banesë dhe jeton tek të afërmit dhe herë pas herë fle dhe në rrugë tregon, pasi nuk ka asnjë të ardhur dhe nuk ka shtëpi.
Më tej Ramadani tregon se kishte aplikuar dy herë, që nga 1996-ta për legalizimin e vilës. Zhdukja nga sistemi dhe mbyllja brenda 1 muaji e gjithë procedurës së legalizimit dhe hipotekimit vetëm me një prokurë, hedh dyshime për korrupsion dhe shkelje.
“Shtëpia ka qenë në proces legalizimi në emrin tim. Kanë dhënë para kanë korruptuar dhe kanë zhdukur dosjet”, shprehet Lisha.