Dhjetëra banorë nga zona të ndryshme të Kurbinit mbajnë gjallë traditën. Pelegrinët ju drejtuan edhe këtë vit Kishës së “Shën Mhillit” në Mal të Bardhë, për të përkujtuar shënjtorin.
Ky fshat njihet për tolerancë fetare, si e gjithë krahina, teksa përbëhet nga 95% myslimanë. Katolike e myslimanë së bashku, kanë restauruar disa herë këtë objekt kulti.
“Për ne është dita më e lumtur se gjithë fshati vjen e feston tek kisha, pa dallim feje. Feja jonë është shqiptaria.
Kemi investuar për këtë, e kemi mirëmbajtur, dhe gjatë regjimit komunist s’i kemi prerë as lisat,” thotë një banor.
“Këtu vijnë shumë banorë. Kisha është 800-vjeçare. Ka harmoni midis dy besimeve, s’ka dallime. Vij për t’u lutur, edhe pse nuk jam e besimit katolik,” shprehet një vajzë.
Jashtë ambienteve të kishës u mbajt një aktivitetet me muzikë dhe valle tradicionale të zonës së Kurbinit.