Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, pritet të ndryshojë masat kufizuese për orarin e lëvizjes dhe pritet të zgjatet orari i bareve dhe restoranteve.
Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, sot ka takuar përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me të cilët ka diskutuar masat anti-Covid.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se komunat kanë propozuar që të hiqet dorë nga ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm. Ibrahimi bëri të ditur se do të ketë ndryshime sa i përket lirisë së lëvizjes.
“Ora policore do të jetë nga ora 00:00-05:00, ndërkaq orari i bareve dhe restoranteve do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar Ibrahimi.
Masat e diskutuara sot, pritet të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës.