Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një prononcim për mediat ka treguar se vendi do të preket nga reshje me intensitet mesatar në 3 ditët e ardhshme.
Ai thotë se jemi në stinë përmbytjesh, mirëpo sipas ministrit, të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të reaguar në kohë dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.
“Dy – tre ditët e ardhshme presim intensitet mesatar në pjesën veriore dhe jugperëndimore të vendit. Në veri është kaskada e Drinit e cila kur reshjet vazhdojnë gjatë edhe kur ujërat arrijnë vlerën maksimale të liqeneve ato kërcënojnë dhe rrezikojnë përmbytje të mëdha.
Në jugperëndim kemi lumin e Vjosës , është një lumë i egër në raste të reshjeve të mëdha rrezikon të dalë nga shtrati. Sot kemi nivele me rezerve në kaskadën e Drinit , në liqenin e Fierzës është pothuajse 25 metra nën nivelin e pikut, ka rezerva për disa ditë reshje, se çfarë do ndodhë më vonë ne do të jemi në komunikim. Këto 2 – 3 ditë nuk do të kemi përmbytje të shtuara për shkak të shkarkimeve të detyruara siç ndodh në disa raste.
Hyjmë në stinë të vështirë të përmbytjeve, hyjmë me rezervë.
Reshje do të ketë edhe në pjesën jugperëndimore në lumin e Vjosës, në pjesën e Greqisë ku reshjet janë të mëdha për disa ditë rresht, ato rezultojnë me rritje të nivelit te Ura e Mifolit, mund të kemi dalje në rast se do të jetë intensitet i lartë.
Të gjitha strukturat janë në drejtim të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë të gatshme, kështu duhet të jenë është prefekturat, u bëj thirrje për gatishmëri të gjithëve.
Nuk presim në këtë furi reshjesh, përmbytje të mëdha, në zonën veriore kemi zona depresive siç është zona e Obotit e cila me apo pa shkarkim liqenesh është zona e parë që rrezikon përmbytjen vetëm për shkak të reshjeve e jo për shkak të shkarkimeve. Ka reshje bore por ARRSH, është në gatishmëri, nuk kemi probleme në asnjë aks rrugor në kuptimin e gatishmërisë”, tha Peleshi.