Pas përmbytjeve dhe dëborës së të hënës, moti është përmirësuar gjatë paradites së sotme, e cila nisi e kthjellët në pjesën më të madhe të vendit, por situata duket se nuk do të vijojë e tillë me kalimin e orëve.
Siç raporton Meteoalb si edhe nga të dhënat satelitore, mësohet se gjatë orëve të mbrëmjes së sotme pritet të ketë një shtim të vranësirave në Ultësirën Perëndimore, ndërsa parashikohen reshje shiu duke filluar nga mesdita e nesërme, të cilat do të kenë një intensitet prej rreth 10-20 milimetra.
Reshjet do të bien në thuajse 75 për qind të vendit, por kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Zonat ku do të vërehet një intensitet më i lartë parashikohet të jenë i gjithë rajoni i veriut, Shqipëria e mesme si edhe zonat e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit.
Ndërkohë, dëbora pritet të fillojë gjatë 48 orëve në vijim dhe do të ketë reshje të lehta në veri, veri-lindje si edhe në jug-lindje.