Mjekët thirrje qeverisë të heqë orën policore, ja si po shkelet hapur ligji

Qeveria vijon që të mbaj në fuqi masat policore ndaj Covid-19.

 

Edhe pse shihet një numër i ulët rastesh të reja të infektuar me Covid-19 në vend, sërish masat janë ende në fuqi. Gjatë ditëve të fundit, numri i rasteve të reja nuk ka kaluar mbi 300 të infektuar ndërsa, Komiteti i Ekspertëve vijon që t’i lërë në fuqi masat dhe orën policore 11:00-06:00.

 

Por masat mund të konsiderohen edhe si antiligjore pasi jemi në një gjendje që aktualisht numri i infektimeve ka rënë ndjeshëm po ashtu edhe numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid-19. Pra nuk jemi në shpalljen e situatës së jashtëzakonshme. Ndërkohë, lënia në fuqi e masave po ndikon edhe tek bizneset pasi si pasojë e këtyre vendimeve të qeverisë e kanë të pamundur të vazhdojë punën dhe duhet që ta mbyllin biznesin.

 

Masat administrative për distancimin social të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit prekin kryesisht bizneset e shërbimit, baret etj, të cilët janë detyruar edhe të mbyllin aktivitetin në orën 11. Po ashtu, nga ana tjetër edhe qytetarët gjobiten nga policia nëse shkelin orën policore.

 

Thirrja e mjekëve për heqjen e orës policore

Ndërkohë, ekspertët e shëndetit mendojnë se vendi ynë ka arritur 85 për qind të imunitetit nga Covid-19. Mjeku imunolog Genc Sulçebe thotë se studimi i fundit i akademisë së shkencave që është realizuar në fund të vitit 2021, ka evidentuar se mbi 70 për qind e popullsisë është prekur nga virusi.

 

Ndërsa konfirmon se kjo shifër është rritur me përhapjen e Omicron. Sipas ekspertëve të shëndetësisë me këtë situatë masat kufizuese anticovid duhet të rishikohen. Muaji maj pritet të sjellë rënien drastike të rasteve me Covid-19. Sipas ekspertëve, stina e verës mund të sjellë normalitetin dhe heqjen e të gjithë kufizimeve. Ai u shpreh se mbulimi imunitar është rritur.

 

“Në qoftë se në Shqipëri me studimet që janë bërë në Akademinë e Shkencave nxorëm që në fund të gushtit të viti 2021 të kishim një mbulim imunitar të popullatës rreth 73 për qind nga të cilat shumica ishin nga infeksioni dhe gjithashtu pjesërisht edhe nga vaksinimi sot me variantet e reja të Omicron i cili u përhap në mënyrë të gjerë, ko mbulesë imunitare është më e lartë, kalon 85 për qind”, tha ai.

 

Mjeku u shpreh se masat anticovid duhet që të rishikohen. Ai tha se orari i kufizimit është i panevojshëm kur numri i rasteve ka rënë. Sipas mjekut më të rrezikuar janë ata që nuk kanë bërë ende një vaksinë. “Po sigurisht edhe ajo ora 11 mendoj se nuk ka vlerë në fakt. Mendoj se ai i kufizimi pas orës 11 është i panevojshëm tani.

 

Unë mendoj, se më shumë vlerë ka mbajtja e maskave dhe distancimi social sesa ora dhe kjo sidomos për ata individë të cilët janë më të rrezikuar për tu infektuar. Po ashtu, edhe ata persona të cilët për arsye të ndryshme nuk e kanë bërë vaksinën që janë më të rrezikuarit edhe moshat mbi 60 vjeç. Moshat e reja, aq më tepër ato që e kanë bërë vaksinën nuk e kanë atë rrezik si moshat më të vjetra”, tha ndër të tjera mjeku.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME