Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi ka folur në lidhje me procesin përgatitor të votimeve të pjesshme të së dielës, të cilat do të mbahen në 6 bashki të Shqipërisë.
Aiu shpreh se materialet zgjedhore janë dërguar në të gjitha KZAZ-të e vendit, me përjashtim të një KZAZ-je në Shkodër, për shkak të bllokimit të rrugëve, si pasojë e motit të keq.
Sipas kreut të KQZ, ky institucion ka rrëzuar kërkesën që këto qendra votimi të zhvendosin, e cila është bërë nga kryetarja aktuale e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, pasi sipas tij nuk është e bazuar në ligj.
Celibashi nuk dha një përgjigje përfundimtare, se çfarë do të ndodhë me pothuajse 5 mijë qytetarët me të drejtë vote, që mund tiu mohohet e drejta për të zgjedhur në rast të kushteve të këqija atmosferike.
“Kemi shpërndarë bazën materiale në të gjitha KZAZ me përjashtim të një KZAZ-je në Shkodër ku shpërndarja do të bëhet sot. Mund të kemi problem në disa njësi administrative të Shkodrës për shkak të zonave të thella dhe rrugëve të bllokuara. Kemi pasur një kërkesë nga ana e Voltana Ademit për shkak të aksesit në rrethinat e Shkodrës, ku kërkoi ndryshimin e qendrave të votimit.
Kjo kërkesë ka qenë e arsyeshme por për sa kohë nuk gjeti mbështetje në ligj nuk e kemi pranuar. Vlerësojmë se edhe pse ishte e arsyeshme si kërkesë, ne nuk mund të miratojmë zhvendosjen e tyre gati 50 km nga vendi ku janë aktualisht.
Ky është një problem i ligjit që do duhet ta adresojë reforma e pritshme zgjedhore. Problematika mbetet për dy zona të thella të Bashkisë së Shkodrës. Ka qenë problem edhe Boga edhe Thethi, por aty rruga është e hapur dhe ne mund të bëjmë shpërndarjen e bazës materiale”, deklaroi ai.
Celibashi kërkoi edhe nga komisionerët e caktuar nga partitë politike, qoftë për qendrat e votimit, qoftë për qendrat e numërimit, që të përmbushin detyrat e tyre, në bazë të asaj që iu cakton ligji.
“Në dy zonat e tjera mund të kemi problem edhe me vendosjen në funksion të Komisioneve të qendrave të votimit. Kjo situatë na imponon edhe ne si KQZ për të gjetur të gjitha mënyrat e mundshme për të transportuar bazën materiale dhe komisionerët që të marrin masa për të përmbushur këtë detyrim të ligjit.
Ne do të marrim masat që të mos kemi problem që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor. Në lidhje me procesin e votimit elektronik në Vorë, sot në 14:00 KQZ do të zhvillojë procesin e testimit operacional”, tha ai.
Sa i takon Vorës, rezultati pritet që të dalë në një kohë të shpejtës, pasi votimi do të bëhet në mënyrë elektronike, ndërkohë që në 5 Bashkitë e tjera, sipas Celibashit, rezultati do të dalë brenda 48 orëve.