Vendi ynë po përballet me një rritje të shfrenuar të çmimit të karburanteve. Ditë pas dite çmimet po pësojnë ndryshime. Këtë të shtunë shoferët në pikat e karburanteve janë përballur me çmime më të larta , ku vetëm një litër naftë tregtohet me 230- 240 lekë për litër.
Siç shikonin në këtë kupon, më datën 29 shkurt nafta kushtonte 190 lekë për litër 5 ditë më pas, sot një litër naftë në Tiranë kushton 230 lekë, 40 më shumë
Gazetari Ermal Qorri zbuloi se në 15 minuta, çmimi i një litër nafte ndryshoi nga 198 lekë në 230 lekë, 32 lekë më shumë.
Gazetari: Deri para 15 minutash sa ishte nafta?
Shitësi:190 lekë.
Gazetari: Po tani sa vajti?
Shitësi: 230 lekë.
Shfrenimi i çmimeve të karburanteve i ka alarmuar qytetarët që jo vetëm nuk dinë shkakun nga vjen ky shtrenjtim, por thonë se kemi të bëjmë me një abuzim nga tregtarët.
“Është fatkeqësi e madhe për ne shqiptarët. Tani vetëm kur të marrim njerëzit e shtëpisë do e përdorim makinën dhe asgjë tjetër.” tha një qytetar.
“Erdhi koha e biçikletës.”, tha një tjetër.
“Ça do e përdorim makinën, pa lekë , pa punë ,pa asgjë.”, u shpreh një tjetër.
Por në një kohë që e shtuna shkaktoi zemërim për naftën, vlerat e larta janë reflektuar edhe në çmimet e ushqimeve. Një kg domate në tregjet e Tiranës, varion 240 lekë deri në 300 mijë lekë, dyfishi i vlerës të një viti më parë në të njëjtën periudhë
Besnik Sula ish profesor, sot pensionit në tregun e fruta-perimeve tek ish Uzina Dinamo në Tiranë, është në dilemë nëse i dalin llogaritë për të bërë pazarë apo jo.
“Unë jam profesor pensionist dhe po mendoj çfarë të blej. Shtrenjtë është.”, tha ai.
Shumë blerës për situatën e krijuar por vrapojnë pas produkteve më të lira edhe pse jo të cilësisë së mirë.
“Rendim pas atyre kalbësirave dhe marrim, çfarë të bëjmë?”. U shpreh një person.
“70-80% të shtrenjta janë.”, tha një qytetar.
“Na ndihmojnë kalamajtë”- shprehet një tjetër pensionist.