Një javë e vërtetë dimërore këtë fillim Marsi nuk është asgjë ekstreme, ngase ende jemi në stinën e dimrit astronomik,
ndërsa flukset e vonshme të ajrit të ftohtë Siberik ndodhin nganjëherë edhe gjatë muajve të parë të pranverës, por duhet pranuar se kjo valë e të ftohtit është mjaft e fuqishme sidomos gjatë ditëve të ardhshme, respektivisht gjatë kësaj fundjave.
Rajoni ynë sot gjendet nën ndikimin e dy masave gjigande ajrore. Cikloni i fuqishëm me qendër larg në Siri dhe Egjipt dhe anticikloni i fuqishëm dhe gjigand që nga Siberia e largët. Ky anticiklon është ngjitur me masa tjera anticiklonike që shtrihen drejt Evropes qendrore, perëndimore e deri në Afriken veriore e veriperëndimore. Si pasojë në drejtim të rajonit tonë po deprëtojnë lirshëm masa mjaft të ftohta ajrore me origjinë polaro/siberike.
Anticikloni pritet të fuqizohet edhe më shumë gjatë ditëve të ardhshme dhe nga qendra e tij diku në Bjellorusi do të zhvendoset në drejtim të rajonit tonë duke “marr me vehte” masa edhe më të ftohta ajrore direkt nga Siberia drejt Ukraines dhe Gadishullit Ballkanik. Temperaturat pritet të ulen dukshëm nga e premta sidomos në vlerat minimale.
Reshje bore pritet të ketë ende sot nesër dhe pasnesër herë pas here priten intervale reshjesh të dendura bore, por sasia e borës do të jetë e vogël përgjithësisht.
Temperaturat gjatë kësaj jave pritet të luhaten nga -6 deri në -2 gradë Celsius ato minimale, ndërsa ato maksimale nga 0 deri në 6 gradë Celsius. Me ardhjen e fluksit të ftohtë ajror direkt nga Siberia (nga premta) temperaturat mininimale pritet të ulen deri në -10 ose -11 gradë Celsius, në viset malore të rajonit pritet të jetë edhe më acar, kurse ato maksimale rreth 2, 3 gradë Celsius.
Përmirësim dhe stabilizim të motit pritet të kemi tek në fillim të javës së re kur temperaturat mund të rriten deri në 10 gradë Celsius, por do të vazhdojnë ngricat e dobëta gjatë mëngjeseve.