Pasi ka goditur gjithë ditën e enjte pjesën jugore të Greqisë me reshje bore dhe rënie të temperaturave, vala e motit të keq e ashtuquajtur ‘Filippos’ pritet të rikthehet edhe më e vrullshme në orët në vazhdim edhe në zona të tjera të vendit, sipas parashikimeve të sinoptikanëve.
Malakasa, Afidnes dhe shumë fshatra jashtë Athinës, janë mbuluar me borë ,ndërsa në ishullin Evia, ka zona malore ku bora shkoi në mbi një metër.
Sotirios Dedas, banor në Afidnes: Është shumë e vështirë, sepse rruga është e përpjetë, kemi akull, nuk mund të dalim. Zinxhirë dëbore, nuk jemi mësuar të përdorim, tani po levizim pa zinxhirë.
Autoritetet kanë mbyllur shkollat në Athinën veriore dhe rajonet perëndimore e qendrore të Greqisë për shkak të motit.
Kostas Kravaritis: Rrugët ende nuk janë pastruar, bora, siç mund ta shihni në makinën time këtu, është gati gjysmë metër, dola nga makina me shumë vështirësi.
Gjithashtu në rajonin e Atikës, autoritetet bllokuan automjetet e rënda të hyjnë në autostradën kryesore të vendit që lidh Athinën me veriun e vendit dhe të gjitha makinat e tjera, lejoheshin vetëm në se kishin zinxhirë,për të mos u përsëritur ngjarja e fundit të janarit të këtij viti ,
kur mijëra automjete e qytetarë mbetën të bllokuar për orë të tëra në mes të borës, në një prej autostradave kryesore të kryeqytetit grek dhe jo vetëm.
Ndërsa vala e motit të keq pritet të vazhdojë deri të dielën me stuhi bore kryesisht në pjesën jugore të vendit , në Egje dhe Kretë, Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë me dije se muaji mars i këtij viti është më i ftohti i dhjetëvjeçarit të fundit.