Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendimet e reja në lidhje me situatën e pandemisë COVID-19 në vendin tonë.
Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka njoftuar se është hequr kufizimi deri në 50 persona për grumbullimet, duke i hapur rrugë zhvillimit të dasmave dhe aktiviteteve të tjera.
Ndërkoë, mbeten në fuqi masat për personat që hyjnë në Shqipëri, të cilët duhet të paraqesin pasaportë vaksinimi ose test PCR, ndërsa karantinimi në rast pozitiviteti mbetet 5 ditë.
“Duke u bazuar në analizën e indikatorëve, Komiteti i Ekspertëve vendosi të heqë kufizimin e numrit të personave deri në 50 në aktivitetet kulturore, sportive apo grumbullime të tjera dhe të mbushjes së kapaciteteve deri në 30% të hapësirave ku bëhen këto aktivitete.
Mbeten në fuqi: Ata që hyjnë nnë Shqipëri, duhet të paraqesin një nga dokumentat: Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën 2 javë e aplikuar, test PCR të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejt antigenik brenda 48 orëve, provë kalimi të infeksionit të vlefshme deri në 6 muaj pas vaksinimit. Qytetarët rezidentë që nuk kanë asnjë nga dokumentet e sipërpërmenduar, duhet të izolohen dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test.
Ata që janë konfirmuar pozitiv me COVID, duhet të respektojnë periudhën e izolimit 5 ditë. Në aeroporte do të lejohen të hyjnë të gjithë qytetarët që respektojnë rregullat e përcaktuara. Në të gjitha institucionet shëndetësore nuk lejohet hyrja e familjarëve për personat që janë të shtruar. Vijon të mbetet në fuqi mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura. Për institucionet mbetet në fuqi paraqitja e certifikatsës së vaksinimit”, tha Rakacolli.