Ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, është bërë shpesh pjesë e memeve dhe talljeve në rrjetet sociale, nisur nga deklaratat e saj, që më raste janë jo pak qesharake.
Një tjetër perlë është lëshuar në Kuvend sot nga ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi. Pak ditë më parë në Kongresin e PS, ajo kërkoi ndjesë për diellin e tepruar, ndërsa sot ka bërë një tjetër deklaratë që po përdoret si meme në rrjetet sociale.
Ajo tha se kodimi do të përfshihet si lëndë shkollore që në klasë të parë. Sipas Muzhaqit, kjo politikë do i ofronte fëmijëve një të ardhme të sigurt.
“Fëmijët e klasës së parë do mësojnë kurrikulën e kodimit. Këta fëmijë bashkë me ata që ndjekin kodimin si lëndë ekstra kurrikulare do jenë ata që do hapin rrugën për Shqipërinë e teknologjisë për të konkurruar në mënyrë të denjë me bashkëmoshatarët europianë”, deklaroi ministrja Bora Muzhaqi ndër të tjera.
Ministrja jonë ndoshta nuk e ka me të keq, por po flasim për shkollat në Shqipëri dhe jo në Angli apo SHBA, po flasim për shkollat tona që kanë një dyfish numër nxënësish sa lejohet.
Po flasim për shkollat tona ku në shumë prej tyre vërshon shiu kur ka rreshje të dendura, që u mbyllnë këtë dimër që kaloi sepse s’kanë ngrohje. Pra, ministrja të plotësojë njëherë kushtet themelore të shkollave tona, pastaj të merret me kodimin.