Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka bërë me dije se Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë do të kontrollojë pasurinë e tij.
Në një postim në Facebook, ai njofton se mirëpret diçka të tillë, teksa shton se është i sigurt se pasuria e tij është venë me punë.“Sot me ra shorti i Agjencisë Kundër Korrupsionit për kontrollim të pasurisë.
E mirëpres e shpresoj se do ta kuptojnë se pasuria krijohet me punë e jo brenda natës. Sa mirë kur je i pastër si loti, e ke frikë vetëm nga Zoti”, shkroi Pacolli në llogarinë e tij në Facebook.
Behgjet Pacolli është deputeti më i pasur që ka Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë. Sipas formularit për deklarimin e pasurisë që ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasuria e Pacollit sillet diku rreth 743 milionë euro.Pacolli ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 210 milionë euro.
Këtu përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.Për hotelin “Swiss Diamond” ka thënë se ka vlerë 42 milionë euro. Tek pasuria e luajtshme, Pacolli ka deklaruar avionin, për të cilin thotë se kushton 8 milionë euro. Përveç avionit, ka deklaruar edhe tetë veturat e tij.
Në total, vlera e pasurive të luajtshme sillet rreth 8 milionë e 504 mijë euro. Pacolli posedon edhe shumë aksione në shoqëri komerciale. Vlera e tyre sillet rreth 506 milionë euro. Vetëm në Mabatex Group ka aksione në vlerë 200 milionë euro, për të cilat ka deklaruar pronësi të përbashkët.