Duke u ngjitur në podium për të marrë Medaljen e Artë, që fitoi në garën e 3000 metrave në Lojërat Mesdhetare në Algjeri, në sfond u vendos himni i Libisë.
Ekipi shqiptar qëndroi në pritje, derisa organizatorët rregulluan gafën dhe vendosën himnin kombëtar të Shqipërisë.
Atletja Luiza Gega e udhëhoqi garën që në start, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren e saj. Madje nga xhiro në xhiro, ajo e thelloi distancën nga ndjekëset e saj, duke i lënë pas thuajse 50 metra.
Fitorja e Medaljes së Artë në Lojërat Mesdhetare të Orani nga atletja Luiza Gega, rikonfirmoi aftësitë e saj sportive. Edhe para katër vitesh Luiza fitoi Medaljen e Artë në Lojërat Mesdhetare të Tarragonës në Spanjë.
Pas këtij suksesi të atletes Luiza Gega, numri i medaljeve të sportistëve shqiptarë në Lojërat Mesdhetare të Oranit shkoi në 3, dy të Arta dhe një Bronzi.