Deputeti i PD-së Zef Hila ka shpallur kandidaturën për Primaret e Sali Berishës për bashkinë e Vaut të Dejës. Hila kërkon rikthimin në krye të bashkisë së Vaut të Dejës, pasi e ka drejtuar nga vitet 2015-2019, kur PD vendosi që të bojkotojë zgjedhjet.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Hila thekson se ai ka vendosur që të kandidojë pasi qytetarët i kërkuan që të futet sërish në garë, ndërsa ka premtuar se ato do të fitojnë.
‘Të dashur miq! Kandidimi im, nuk vjen dhe nuk është një qëllim personal. Unë kam dhënë prova për kapacitetin dhe eksperiencën time, në shumë situata të vështira, për të qënë, në shërbim të komunitetit, si përfaqësues dhe mbrojtës i të drejtave tuaja, i çdo qytetari duke filluar nga eksperienca ime e parë si drejtues në ish-Komunën Barbullush, më pas në ish-Komunën Bushat dhe në Bashkinë Vau Dejës. Dua të theksoj se Ju të gjithë, përpara dy vitesh, me dhatë besimin dhe votën tuaj, për t’ju përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Primaret janë një mundësi, një kulturë politike dhe institucionale dhe unë kam vendosur t’i nënshtrohem këtij procesi, ta respektoj ketë standard si i barabartë për të gjithë. Partia Demokratike në Vau Dejës ka një histori të sajën suksesi dhe të qëndrueshme. Ajo është e gjallë dhe e fortë, ajo nuk tërhiqet në misionin e saj, për të çuar shërbimet publike afër çdo qytetari, në çdo lagje dhe fshat sado i vogël apo i largët qoftë ai. Bashkia e Vau Dejës-it është e të gjithëve, dhe ne do të punojmë për të gjithë, në mënyrë të hapur dhe me transparencë. Ky është programi i Partisë Demokratike, këto jemi ne, kështu të hapur për të gjithë do ta mbajmë bashkinë dhe nesër.’- shkruan Hila ndër të tjera.
Fituesi i primareve do të jetë kandidati i i Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë në garën e 14 majit. Pas dorëzimit të kandidaturave, pritet që të bëhet prezantimi i kandidaturave dhe data 4 dhjetor do të jetë ajo e mbajtjes së primareve në të gjitha bashkitë, përveç Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, procesi në të cilat pritet të mbyllet brenda nëntorit.
/drtiare.net