Evelina nga Kongoja i Afrikës është bërë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare e cila ka treguar se në Shqipëri ka ardhur sepse ishte e detyruar të linte vendin e saj, por nuk dha shumë shpjegime për këtë pjesë.
Ajo rrëfen momentet e vështira që ka kaluar kur ka arritur në Shqipëri. Ishte shtatzënë në muajin e 8 dhe pas 3 javësh ajo ka lindur djalin e saj Viktorin, i cili tani është 7 vjeç. Evelinën e kanë mbështetur disa organizata, ku ka jetuar aty dhe madje e kanë ndihmuar të gjejë dhe punë.
Ardit Gjebrea: Çfarë pyetjesh të ka bërë Viktori gjatë këtyre viteve?
Evelina: Për prindërit e mi dhe për babin e vetë.
Ardit Gjebrea: Po prindërit e tu ku janë?
Evelina: Janë në Kongo.
Ardit Gjebrea: Sa vite ke pa i parë?
Evelina: Që kur kam ardhur këtu.
Ardit Gjebrea: Po pse nuk i fton në Shqipëri?
Evelina: Është pak e vështirë për të marrë vizën, sepse në Afrikë ka ambasadë shqiptare vetëm në Egjipt. Është e vështirë që të shkosh në Egjipt, të marrësh vizë dhe të vijë deri këtu.
Ardit Gjebrea: Në momentin e parë që ke ardhur në Shqipëri, si e ke ndjerë veten?
Evelina: Shumë e humbur, kam qenë dhe e stresuar, po i bëja në pyetje vetes time, ku jam, pse kam ardhur, çfarë do bëj këtu, nuk kam familje, nuk kam dikë, nuk e di gjuhën, domethënë isha shumë, shumë keq.
Ardit Gjebrea: Kush të ka ndihmuar?
Evelina: Kur kam lindur djalin, unë isha vetëm me policë që vinte në spital se nuk e dija, nuk kisha njeri domethënë. Pastaj më erdhi në ndihmë një organizatë që ka bashkëpunuar me një organizatë tjetër “Të ndryshëm, të barabartë” .
Ardit Gjebrea: Ata të ndihmuan?
Evelina: Po shumë.
Ardit Gjebrea: Po ku ke jetuar?
Evelina: Unë kam jetuar tek organizata “Të ndryshëm të barabartë”.
Ardit Gjebrea: Të strehuan atje, të dhanë punë?
Evelina: Po më ndihmuan për të gjetur punë dhe ta ndihmoja gjuhën shqipe se e kisha shumë dëshirë. Ishim shumë vajza, po duke parë që vajzat flisnin shqip edhe unë isha e vetmja që nuk flisja shqip, më erdhi dëshira ta mësoj. /tvklan.al