Pragu i Shën Valentinit vjen me dasmë në “Ka Një Mesazh Për Ty!”
Adriana ka vendosur të organizojë dasmën e të birit në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan sepse do shumë të shohë nusen, e cila ka të njëjtin emër, me fustan të bardhë. Nusja është nga Rumania dhe ka lënë pas gjithçka vetëm që të jetojë dashurinë me Ergisin.
Programi “E diela shqiptare” është kujdesur që të mos mungojë asgjë në këtë organizim. Pasi mori mesazhin nga vjehrra, Adriana shkoi të përgatitej e të vishej me fustan, ndërkohë që studioja u arredua. Gjatë kësaj kohe, prindërit e Adrianës, të cilët kanë ardhur nga Rumania me kërkesën e krushkës së tyre, janë pozicionuar pas njërës prej dyerve të studios.
Gjebrea merr në duar unazat dhe kryen ritualin mes çiftit. Kur përmend dëshmitarët, Adriana nis të lotojë duke shprehur dëshirën që të ishin familjarët e saj. Për çudinë e nuses, nëna dhe i ati ecin drejt skenës duke mbështjellë në një përqafim bijën e tyre të përlotur.
Festa vijon me kërcime tradicionale si vallja e Napolonit por edhe një kërcim rumun. Mes bekimesh, urimesh dhe buzëqeshjesh, çifti i ri pret tortën duke mbyllur gëzueshëm rubrikën./tvklan.al