Erlinda i ka njohur që e vogël vështirësitë, por duke i parë ato të reflektuara mbi nënën e saj. Gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tregoi për jetën plot sakrifica të familjes, ku gjithnjë ka qenë e ëma njeriu që është përpjekur më fort që Erlinda dhe dy fëmijët e tjerë të ishin njësoj me moshatarët e tyre.
Erlinda tregoi se si e ëma nuk i shprehte fëmijëve shqetësimet e saj, bëri të pamundurën për t’i shkolluar, merrte e lante borxhe dhe bënte disa punë njëherësh vetëm për të siguruar të ardhura.
Pas shembjes së shtëpisë së tyre nga tërmeti, prindërit e Erlindës u vendosën në një apartament të ri, por të zbrazët. Sfida më e vështirë për Erlindën erdhi pas pandemisë së Covid-it sepse bashkëshorti me të cilin është dashuruar që në moshën 14-vjeçare, iu sëmur dhe rezultoi se veshkat nuk i funksiononin më.
Erlinda: Kishte probleme me veshkat. Mendonte gjithmonë që kishte tensionin, por nuk i thoshin që kishte probleme me veshkat, por nuk e dimë pse të vjen tensioni. Në momentin që i ra dhe Covid-i, atëherë veshkat u shkatërruan totalisht.
Ardit Gjebrea: Ka probleme?
Erlinda: Për të jetuar burri, më duhet patjetër dializa dhe burri jeton me dializë edhe sot. Por përsëri është një engjëll që na ka mbrojtur qëkur isha e vogël dhe ajo është mami. Pas shumë kontrollesh, analizash që bëmë ishte shkatërrim total. Pas shumë vështirësish që kishim kaluar, do të kalonim edhe këtë vështirësi tjetër që burri të shkonte në dializë dhe ta kalonte gjithë jetën në dializë sepse nuk kishim mundësi tjetër, dializa ose transplanti. Vazhduam të bënim analiza…
Ardit Gjebrea: Të erdhi ndonjë moment mendimi që t’ia jap unë veshkën bashkëshortit?
Erlinda: Patjetër që po. Në periudhën që ishim në spital mendoja që t’i jepja veshkën unë vetëm të jetonte sepse kishim 3 fëmijë që duhet të rriteshin dhe i thoja doktorëve do t’ia jap unë veshkën. Ata thoshin jo, unë përsëri insistoja që t’ia jap unë veshkën sepse dua që ky të ketë jetën.
Ardit Gjebrea: Po pse thonin jo mjekët?
Erlinda: Sepse në momentin që bëhesh me dializë arrin që të jesh invalid dhe dy invalidë në shtëpi nuk lejohen, “është gjynah që ju kaq të rinj të jeni dy invalidë në shtëpi” tha. Por mua nuk më interesonte kjo gjë, doja që bashkëshorti im të ishte mirë.
Erlinda shton se dëshira e vetme e fëmijëve të saj ishte që babai i tyre të shërohej. Fillimisht, ishte e ëma e djalit ajo që do t’i dhuronte veshkën e saj të birit, por për shkak se vuante nga tensioni, transplanti nuk do të kishte efekt. Në këtë moment, mes lotësh, Erlinda thotë se ishte nëna ajo që e shpëtoi sërish.
Erlinda: Ajo përsëri më ka ndihmuar, më ka dhënë jetë, më ka dhënë shpresë gjithmonë dhe arriti që të bënte diçka shumë të madhe për familjen time. Pra duke i dhënë njërën veshkë bashkëshortit tim, ajo i jep jetë familjes time.
Ardit Gjebrea: Ia ka dhuruar, e ka bërë?
Erlinda: Jo, akoma. Kemi bërë procedurat, kemi bërë analiza pafund dhe po presim dita-ditës që të bëhet transplanti.
Ardit Gjebrea: Pra, është mami ajo që do i dhurojë veshkën bashkëshortit tënd?
Erlinda: Mami, pas gjithë atyre vuajtjeve, sakrificave që gjithë jetën ka punuar, ajo përsëri arriti që të bënte diçka kaq të madhe për familjen time./tvklan.al