Një aksident i rëndë në Motta di Livenza i ka marrë jetën dy vajzave, njëra prej tyre e mitur. Dy të tjerë janë plagosur pasi makina me të cilën udhëtonin u përplas me një pemë.
Pavarësisht ndihmës të menjëhershme, mejkët kanë konstatuar vdekjen e dy vajzave të moshës 17 dhe 19 vjeç, kjo e fundit me origjinë shqiptare. Karabinierët kanë devijuar qarkullimin dhe kanë kryer hetimet për aksidentin. Të katër, të gjithë të rinj, ndodheshin në makinën që drejtohej nga një 19-vjeçar nga Pordenone. Për shkaqe nën hetim, makina ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një pemë në krahun e kundërt me drejtimin e saj të lëvizjes.
Viktimat janë Eralda Spahillari, 19-vjeçarja shqiptare por me nënshtetësi greke, banuese në Ponte di Piave dhe Barbara Brotto, 17-vjeçare nga Oderzo, e cila ka ndërruar jetë menjëherë. I plagosur rëndë ka mbetur shoferi 19-vjeçar, i cili është dërguar në spitalin e Trevisos dhe një 18-vjeçar është transportuar në spitalin e Mestres.