Ato janë dy mësuese të gjuhës shqipe në Zvicër, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e vlerave të kombit dhe mësimin e gjuhës amtare atje.
Borolda Kuçi Lela dhe Leonora Zoto përcollën për “Jeto me Orën” emocionet e festës së 7 Marsit por edhe sfidat e mësuesve në diasporë në misionin e tyre për ruajtjen e gjuhës shqipe.
Borolda Kuçi Lela: Si mund të ndihemi përveçse krenarë kur shikon fëmijë të cilët janë të linbdur dhe të rritur në Zvicër dhe belbëzojnë aq bukur gjuhën shqipe, flasin, këndojnë, shkruajnë, ndërtojnë fjali në gjuhën shqipe. Nuk ka ndjenjë më të bukur sesa kur ky profesion realizohet jashtë atdheut Jemi shumë krenarë.
Vështirësitë lidhen me ndërgjegjësimin e familjeve shqiptare për ti sjellë fëmijët në shkollën shqipe. Ka ende fëmijë që nuk e frekuentojnë. U bëj thirrje të gjithën prindërve shqiptarë nëse munden apo kanë dëshirë që fëmijët e tyre të vazhdojnë me mësimin plotësues të gjuhës shqipe të lajmërohen. Në çdo kanton ka mësues dhe pika shkollore. Është vetëm në dobi të tyre.
Leonora Zoto: Për të arritur ekuilibrin midis sfidave dhe emocioneve është një detyrë e përditshme. Shkojmë në shkollë një herë në javë dhe përpiqemi tu ofrojmë sa më shumë nxënësve.
Komunitetit shqiptar i uroj të jenë të bashkuar dhe të mos harrojnë se edukimi i brezave me dashurinë ndaj gjuhës dhe kombit janë themelet për një të ardhme më të mirë të identitetit tonë kombëtar.