Gjendja është skandaloze. Jo më shumë se 100 metër rrugë tek varrezat publike të qytetit te Shkodrës në Stom Golem, dëmton jo vetëm imazhin e tyre, por edhe të Shkodrës. Respekti për të vdekurit, është tregues civilizimi për një shoqëri aq sa dikur thuhej nga filozofët se nësë dëshiron të shohësh kulturën e një populli, shiko më parë se si kujdesen për varret.
Faktikisht varrezat publike të Shkodrës kanë një sistemim për tu admiruar, sa nuk e gjen në qytete të tjera, ndërkohë që 100 metër rrugë përgjatë tyre e cënojnë rëndë këtë imazh. Në varrezat pranë rrugës depërton uji dhe balta. Tashmë edhe automjetet e kanë të vështirë të qarkullojnë në këtë rrugë, për shkak të gropave dhe ujit. Nuk është hera e parë që shqetësimi për gjëndjen e kësaj rruge trajtohet në media, dhe asgjë nuk ka ndryshuar, por problematika ka ardhur duke u thelluar.
Sot edhe 2 orë shi të bie kthehet kjo gjëndje sa automjetet e kanë të vështirë të lëvizin. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për bashkinë e Shkodrës dhe aspak e denjë për një qytet si Shkodra.