“Gjysmën e akullores po ja ruaj motrës”, preku zemrat e shqiptarëve, 9-vjeçarja merr surprizën e jetës

Pak ditë më parë, historia e trishtë e Marselës 9 vjeçare, e cila jeton në Qafë Krrabë preku zemrat e shqiptarëve. Vajza e vogël bashkë me të atin e saj ktheheshin nga spitali, ku i ati kishte sakrifikuar gjithçka kishte për të blerë ilaçet e vajzës së tij

 

Ajo çka e bënte prekëse këtë histori ishte një akullore e pangrënë, pasi Marsela e ruante atë për të motrën e vogël, pasi i ati nuk kishte më lek te blinte një të tillë. Pas këtij shkrimi me dhjetëra shqiptarë kanë kontaktuar me gazetarin Xhensil Shkëmbi duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar dhe dhuruar, ndërkohë që disa prej tyre nuk kanë humbur kohë duke shkuar që sot në familjen e varfër Baka.

 

Në foto është një vajzë e vogël nga Elbasani, e cila “detyroi” prindin e saj të blinte dy biçikleta e për t’i çuar te Marsela e vogël dhe motra e saj, duke i gëzuar pa masë.

 

“Sot takuam Marselen dhe familjen e saj. Nga ndihmat që të gjithë ju dërguat u mblodhen mbi 3.5 milionë lek (të vjetra) përpos tyre, ushqime pothuajse për një vit, veshje, dy smartphone, dy biçikleta etj.

Vajza dhe djem nga Korça dhe Tirana takuan sot familjen Baka, qershia mbi tortë ishte menaxheri i Elvana Gjatës, Andi Islami bashkë me Julkën që përpos ndihmës dhe fustanve të bukura i dhanë mesazhin më të bukur Marselës së vogël. Në pamundësi për të ardhur vetë, këngëtarja e preferuar e Marselës, Elvana Gjata, i kishte dërguar një video mesazh sa emocionues aq edhe motivues.
Ju falendendojmë të gjithë ju që hapët zemrën dhe ndihmuat kaq shumë për vetëm 7 ditë!”, shkruan gazetari.

 

Si nisi historia:

Akullorja gjysmë e ngrënë, të të hajë shpirtin…

Sot po kthehesha nga Tirana për në Korçë. Tek rrethrrotullimi i TEG një burri veshur i keq, me një vajzë në dorë që u kërkonte me mëshirë makinave të ndalonin. Kishte nevojë të shkonte në shtëpi mbase. Ndaloj, e pyes, donte të shkonte në Qafë Krrabë.

“Më lir deri në tuneli se iki në këmbë në fshat, veç aman më merr” – më thotë.

Hipën, bashkë me vajzën që sa e zgjuar dhe e buzëqeshur dukej. Filloj e pyes.

 

“Jam Marsela, jam 9 vjeç, jam në klasën e 3-të, më pëlqen lënda e gjuhës shqipe, dua të bëhem mësuese”

Po në Tiranë çfarë bëre?

Isha e sëmurë, më dhimbte barku dhe babi më çoi në spital.

Mirë dole?

E nxorën me disa krimba në stomak, aman, kush i merr vesh ata doktorët e Tiranës. As të sqarojnë asgjë – më thotë i ati.

I more ilaçe vajzës?

 

Ja mora, 35 mijë më vajtën.

Epo mirë, të shkuara. Çfarë punon?

Unë ku të dalë. Ndërtim, toka, kam një lopë. Me vështirësi të madhe shumë.

Po lekët për ilaçet e vajzës?

 

Shita një metër dru, i nxora këtu në tuneli në krah, erdhi një nga këta të furrës mi mori.

Marsela po rrinte dhe veç dëgjonte. I dhashë telefonin të vendoste muzikën e saj të preferuar. Vendosi Elvana Gjatën.

Unë nuk e pëlqej fare këtë – i them.

Unë e pëlqej, se vishet shumë bukur. Dhe dua që kur te rritem të paktën të vishem njëherë si ajo.

Më kaploi një heshtje në mendime, nuk doja ta pyesja më. E kuptova sa te varfër ishin. Po më bëri përshtypje akullorja që e mbante në dorë dhe nuk e hante.

Po këtë akulloren pse nuk e ha o Marsela?

 

Unë e hëngra gjysmën, gjysmën do ja çoj motrës në shtëpi. Se babi vetëm 3 qind lek kishte dhe vetëm mua më mori. E dua tja jap motrës gjysmën. Vëllai nuk mërzitet se ai është djalë.

Nuk fola më. Fare. Po më qante shpirti. Nuk po doja veten. Kisha harruar bekimet e Zotit që të fal çdo ditë. Kisha harruar mbase edhe realitetin që jetojmë.

Marsela, unë të premtoj që do vij të të takoj.

 

Dakord, të vish, ama po erdhe do i sjellësh edhe vëllait një akullore, se edhe atë e dua shumë.

Ikën, i përshëndeta, ama akull mu bë shpirti…

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME