Gjatë “Shihemi në Gjyq” Sadetja u shpreh se nuk ka fëmijë, mbështetje e përkrahje dhe gjithmonë ka qenë e shtypur nga familja e burrit. Ajo tha se bashkëshorti i saj nuk ka dashur kurrë të punojë dhe ajo ka qenë e vetmja që e bënte.
Nga ana tjetër, vëllai i saj Iliri, i përmend të gjitha rastet kur ai i ka zgjatur dorën për ta ndihmuar. Duke qenë se Iliri jeton në Itali, ai i ka bërë garancinë si Sadetes, edhe bashkëshortit të saj për të shkuar atje dhe ajo nuk ka shkuar për shkak të këtij të fundit. Gjithashtu ai është ofruar t’i gjejë punë dhe Sadetja sërish e ka refuzuar.
Pavarësisht këtyre, ajo e akuzon si “mafioz” dhe i thotë se nuk ia jep firmën për testamentin e prindërve që i takon Ilirit me të drejtë duke e mbajtur peng vëllain. Në momentin e votimit, publiku shpreh mbështetje për Ilirin, përveç një vote të drejtuar tek Sadetja.
Ky detaj nuk i shpëtoi moderatorit Ardit Gjebrea, i cili u drejtua menjëherë për te publiku i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të biseduar me zonjën që është në krah të Sadetes.
Zonja: Unë jam tiranase dhe kam pasur edhe unë dikur toka dhe tokën ia kam falur vëllait. Sot vëllai mua nuk më jeton për arsye të tokës por duke menduar që kjo zonjë ka shumë probleme me burrin sepse burri është dembel, nuk punon dhe janë ca gjëra që ndodhin në familje dhe duke menduar këtë vëllai duhet t’i japë një dorë.
Pavarësisht se ne gjithmonë kemi menduar te djemtë, thonë gjithmonë pasuria të shkojë te djali, ashtu siç i kanë lënë prindërit pasuri atij por edhe për motrat duhet të kujdesen pak pasi ajo është në një moshë shumë të madhe, është pa fëmijë, pa përkrahje, ka një burrë dembel në një kohë kur ajo nuk ka me çfarë jeton dhe është 62 vjeçe dhe akoma punon. Unë prandaj gjithmonë kam mbajtur anën e asaj zonjës gjatë gjithë kohës që zotëria fliste, ai është i siguruar, është jashtë shtetit, punon, ka gjithë të ardhurat, është punëtor, por duhet të kthejë një çikë kokën mbrapa dhe të mendojë një çikë edhe për motrën që e ka me aq probleme.
Ardit Gjebrea: Ai e ka menduar për motrën gjithë jetën, i ka thënë hajde,hajde, hajde.
Zonja: Po çfarë t’i bëjë burrit që nuk do? Tani ai thotë hidhe burrin në lumë. Nuk hidhet burri në lumë në këtë moshë, 44 vjet martesë dhe ta hedh burrin unë në lumë? Jo, unë nuk e hedh.
Ardit Gjebrea: Edhe ditën e fundit të jetës mund ta hedhësh në momentin që ai nuk të jep asgjë në jetë.
Zonja: Po ç’ti bëj unë tani në pleqëri?
Ardit Gjebrea: Ilir, ti e merr motrën në Itali po të vijë sot tek ti?
Ilir: Ore e marr edhe që tani.
Ardit Gjebrea: Urdhëro!
Zonja: Po nuk do ajo pra.
Ardit Gjebrea: Ah, nuk do ajo? Por nuk është faji i Ilirit dhe ti ia jep votën asaj se s’do ajo. Burrin s’do ta lërë, burri nuk punon, nuk i jep pronat, thotë më kanë shfrytëzuar gjithë jetën, vëllai ta ndihmojë, si qenka kjo punë?
Zonja: Mos të raftë! Çfarë t’i bësh, të kesh një fatkeqësi…
Ardit Gjebrea: Fatkeqësi? Jo! Njeriu e ka vetë jetën në dorë, këtë duhet të kuptojnë gjithë shqiptarët.
Zonja: Tani në këtë kohë po, por më përpara nu ishte kjo, sidomos nëpër fshatra.
Ardit Gjebrea: Po sot ajo ka mundësi, ajo ka një vëlla që e merr në Itali, po flasim për sot.
Zonja: Ajo zonja ka edhe turpin tani se s’mund ta lërë burrin tani e të ikë në Itali.
Ardit Gjebrea: Cilin turp? Nuk ka më turp! Për të kërkuar të drejtën tënde nuk ka më turp sot dhe asnjë shqiptar s’duhet të ketë më turp! Në momentin që i ndodhin fatkeqësi të tilla, duhet të tregojnë veten, është i lirë… pse nuk je dakord me mua?
Zonja: Jo, dakord jam.
Ardit Gjebrea: Ah, mendova që nuk je dakord. Po nuk jetojmë më në ato kohë, jemi në kohëra të tjera. Çfarë lidhjeje ka, në momentin që në shtëpi nuk ka të drejta të barabarta, qoftë nga ana e burrit, qoftë nga ana e gruas, jepini drejtim! Nuk mund të qëndroni, sikur 5 ditë jetë të kenë mbetur, jetojini të lumtur me ata që ju duan dhe që ju respektojnë!/tvklan.al