NGA SENAD NIKSHIQI
Dy figura të rëndësishme të atletikës shkodrane dhe shqiptare Vildan Tufi dhe Gëzim mema janë nderuar në një aktivitet të organizuar nga shoqata e atletikës Vllaznia dhe bashkia Shkodër i quajtur Kupa e Nderimit të Figurave që zhvillohet për herë të parë. Në këtë Kupë morë pjesë atletë nga Shqipëria dhe Kosova. Drejtori i sporteve në bashkinë Shkodër Alban Hasani tha se nderimi i figurave do kthehet në një traditë.
Vajza e trajnerit të ndjerë Vildan Tufi dhe djali i trajnerit të ndjerë Gëzim Mema ndjehen të emocionuar për nderimin që i bëhet këtyre figurave. Kampioni i Europës Izmir Smajlaj i cili hodhi hapat e parë me trajnerin Vildan Tufi është krenar për gjithë ato vite që kaloi në Shkodër.
Ish atleti i Vllaznisë Asim Mujaxhi kujton vitet e arta të atletikës shkodrane.Gjatë kësaj Kupe atleti i Vllaznisë Franko Burraj tentoi thyerjen e rekordit kombëtar në garën e 100 metrave por nuk ia doli ndërsa zuri vendin e parë në garën e 200 metrave. Atletët e Vllaznisë fituan edhe garat e kërcimeve teksa në kërcim së gjati i pari u rendit Muhamet Çengeli dhe në trehapësh Kolindo Kiri ndërsa për femra në kërcim së gjati vendin e parë e mori Erisa Rrasa e cila sëbashku me Franko Burraj u shpallën dy më të mirët e kësaj Kupe.
Bashkia Shkodër në këtë aktivitet nderoi 16 emra të rëndësishëm të atletikës me “Mirënjohje”. Surri Hoti, Enver Dervishi, Kujtim Rrjolli dhe Nefail Kraja u nderuan pas vdekjes ndërsa “Mirënjohje” morën edhe ish-atletët Arbana Xhani, Marije Gjoni, Mimoza Meta, Nafije Shahu, Asim Mujaxhi, Ahmet Kryeziu, Hajrullah Shoshi, Ardian Miloti, Gjulio Zefi, Arben Parmeza, Admir Bregu si dhe kampioni Izmir Smajlaj.