I ftuar në puntatën e fundit të emisionit “Ndryshe” ishte drejtori i Top Albania Radios,
Ledion Liço i cili njëkohësisht është edhe producenti i filmit “Në Kuadër të Dashurisë”. Ledioni ka treguar më shumë për pritshmëritë e tij rreth filmit dhe risitë që do të vijnë…
Ku do të shkojë Top Channel me risinë e departamentit të ri të filmit?
Qëllimi është që të shkojë gjatë. Është një strukturë që është ngritur me premisat e diçkaje të qëndrueshme, por që do të varet shumë nga suksesi i filmit tonë të parë. Unë mendoj që është kasti më i mirë i mbledhur ndonjëherë për një film në Shqipëri të atij zhaneri.
A janë Luizi me Oltën ata që do e shesin filmin?
Mendoj që Luizi me Oltën do ta shesin filmin, kjo është e pakundërshtueshme. Ato janë grepi për të sjellë njerëzit në kinema, por unë jam i bindur që njerëzit do dalin nga kinemaja jo vetëm me Luizin dhe Oltën.
Skenari a të ka pëlqyer?
Skenarin unë e kam parë në disa faza dhe e kemi ndryshuar me Kolon. Skenarin unë e kam lexuar një vit e gjysmë më herët. Më ka pëlqyer për faktin që më ka bërë për të qeshur me lexim të parë dhe kam qeshur mbi 3 herë.
A ke siguri tek Koloreto Cukali si regjisor i ri?
Jo, nuk kam siguri te Kolo si regjisor, nuk kam siguri te vetja si producent, nuk kam siguri tek Rezart Gurashi si drejtor fotografie sepse ne nuk kemi bërë ndonjëherë film, kjo është hera jonë e parë.
Tek cilët njerëz ke besim?
Kam besim tek ty që ke bërë filma dhe je aktor (Salsano), kam besim tek Olta Gixhari. Nuk kam besim tek Luizi… Kam shumë pritshmëri dhe jam i bindur që Luizi do bëjë mirë, sikundër kam pritshmëri nga Sara Hoxha, por nuk jam i sigurt te Sara Hoxha… Në kështu rastesh ti priresh të kesh besimin tek njerëzit që kanë eksperiencën, por varet se si e gjithë gjëja është vënë në funksion tëndin. Mendoj se Kolo ka bërë një punë shumë të mirë që të mund t’i japi secilit atë që i takon pa u munduar ta bëjë si diçka që nuk është.
A ka një rrugëtim filmi sipas producentëve që të ketë kinema, televizor dhe festival?
Filmi komedi është i pakonsiderueshëm për festivalet. Mund të jenë si shfaqje jashtë konkurrimit nëpër festivale, por kjo për ne është diçka që nuk përbën interes. Ajo që ne duam të bëjmë është që filmi të jetë në sa më shumë salla kinemaje në të gjithë botën ku ka më shumë shqiptarë. Po punojmë që të jemi në shumë salla në Amerikë, në Britaninë e Madhe, në Zvicër dhe në Itali.
Kur del në kinema?
Në tetor 100 %.