Në momentin që vajza e dytë e Sovianës dhe Mikelit erdhi në jetë, prindërit e tij vendosën t’iu linin shtëpinë dhe vetë të banonin diku tjetër me qira. Por në momentin kur çifti vendosi të divorcohej pas 17 vitesh së bashku për shkak të një tradhtie nga ana e Mikelit, ajo dhe 4 fëmijët vijuan të jetonin në këtë shtëpi.
Kjo është një prej sakrificave që Soviana nuk ua harron kurrë vjehërrve të saj. Ajo rrëfen e përlotur këtë moment për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dhe tregon se si i ka raportet me vjehrrën e saj.
Soviana: Vjehrri im më tha që “unë të kam thënë vajzë dhe ti je vajzë për ne dhe ti po do të vish të rrish me ne sepse jemi më afër dhe ti je nusja e shtëpisë tonë dhe fëmijët janë fëmijët e mi”. Kjo ka qenë fjala e vjehrrit tim dhe kjo ishte një ndihmë shumë e madhe, si për mua edhe për…
Ardit Gjebrea: Edhe për fëmijët, pa diskutim. Edhe vjehrra besoj të njëjtin qëndrim?
Soviana: Edhe vjehrra, po. Vjehrra ime vinte thuajse përditë që të na shikonte neve, edhe pse mezi ecën. Vinte gjithmonë, merrte në telefon ccdo minutë sa i thosha o ma më lër se jam në punë, të marr unë kur të dal.
Ardit Gjebrea: Ti e thërrisje edhe e thërret ”o ma”, akoma edhe sot e thërret “o ma?”
Soviana: S’ka munguar asnjëherë kjo fjalë. Marrëdhënien që kam pasur, kam dhe do ta kem me vjehrrën nuk e kam as me mamin tim. Nuk e kam.
Ardit Gjebrea: Uau!
Soviana: Mamin tim e kam pasur afër, normal, por më shumë se vjehrrën asnjë s’kam pasur. Më ka qëndruar gjithmonë pranë, si mua edhe fëmijëve.
Soviana vendosi që së bashku me fëmijët të largohej për një të ardhme më të mirë në Francë. Pas një viti e gjysmë, ajo u rikthye në Shqipëri dhe vjehërrit nuk ishin zhvendosur sërish në shtëpinë e tyre, por e kishin lënë gati për ta. Ndërkohë edhe Mikeli ishte kthyer nga emigrimi, por mes tyre nuk kishte asnjë kontakt.
Ardit Gjebrea: Vjehrra ta hidhte fjalën që “po sikur?”
Soviana: Vjehrra, i thashë vjehrrës që unë të kam zemër dhe e kam vërtet, por që ne mos të humbasim komunikimin të dyja, nuk dua të flas fare për Mikelin.
Ardit Gjebrea: Megjithatë ajo…
Soviana: Ajo prapë mbushi sytë me lot dhe sa herë që flisnim nuk ma zinte më në gojë.
Ardit Gjebrea: Fare?
Soviana: Fare. Vetëm iu thoshte fëmijëve që “ishalla bashkohet mami”, këtë e ka pasur gjatë gjithë kohës./tvklan.al