Revania është një ndër ëmbëlsira më të vjetra shqiptare. Vështirë se mund t’i rezistosh shijes së saj të butë, të shkrifët, të ëmbëlsuar me sherbet apo mjaltë.
Në çdo shtëpi shqiptare ëmbëlsira e revanisë është më e dashura e të gjitha recetave. Nënat dhe gjyshet e përgatisin këtë recetë përherë në raste të gëzueshme familjare por edhe gjatë fundjavave kur të gjithë kanë mundësi të bashkohen në familje.
Amvisat në shumë raste kombinojnë këtë ëmbëlsirë duke shtuar të tjerë përbërës që i shtojnë asaj edhe më shumë shije dhe aromë.
AgroWeb.org sjell një recetë të shijshme të revanisë pa vezë, krejt lehtë për t’u përgatitur në shtëpi si një alternativë fantastike për të shoqëruar dhe ëmbëlsuar drekat apo darkat në familje.
Përbërësit
600 g miell misri
220 g sheqer
75 g miell gruri
200 g kos
200 g gjalpë i shkrirë
1 lugë çaji me vanilje
Pak qumësht nëse brumi del i trashë
Shurupi
330 g sheqer
250 ml ujë
1 lugë gjelle lëng limoni
Përgatitja
AgroWeb.org ju këshillon që si fillim të ndizni sobën në 190°C.
Ndërkohë në një tas përzieni miellin e misrit me atë të grurit me sheqerin dhe vaniljen.
Në një tas tjetër keni rrahur kosin me gjalpin e shkrirë derisa të keni formuar një masë.
Shtoni masën e kosit dhe gjalpit tek mielli dhe filloni ta punoni ngadalë.
Nëse masa ju duket shumë e trashë, përdorni pak qumësht sa të përfitoni brumin e hollë tradicional të revanisë.
Merrni një tavë dhe lyejeni sipërfaqen e saj me pak gjalpë.
Kalojeni masën e brumit tek tava dhe përhapeni që të jetë shtrirë në të gjithë sipërfaqen.
Piqeni revaninë për 35-40 minuta ose derisa sipërfaqja e saj të ketë marrë ngjyrën karakteristike të artë të thellë.
Ndërkohë AgroWeb.org ju sugjeron që të përgatisni shurupin.
Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni aty uji dhe sheqerin.
Përzjejini derisa sheqeri të ketë shkrirë dhe lëreni të vlojë.
Kur të formohen bulëza në sipërfaqen e shurupit shtoni lëngun e limonit dhe ziejeni edhe për 5 minuta të tjera.
Më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak.
Kur ëmbëlsira të jetë pjekur, nxirreni nga furra, priteni njësoj si bakllavaja, dhe më pas hidhni shurupin kur ajo është ende e ngrohtë.
Lëreni që të thithë pak shurupin dhe që të ftohet, dhe mund ta shërbeni për t’u mrekulluar me shijen e saj./AgroWeb.org