Gazetari dhe moderatori ikonik i edicioneve të lajmeve në Top Channel, Ilir Paço ka qenë i ftuar së fundmi në “Ftesë në 5” ku ka folur për pasionin e tij për artin dhe rrugëtimin në fushën e medies.
18 vite në Top Channel duke ruajtur peshën e edicionit qendror të informacionit, Paço i emocionuar teksa kthehet mbrapa në kohë, ka folur ndër të tjera për një ngjarje jo të zakonshme që i ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të gjatë kohe në televizionin e Top Channel.
I pyetur nga Bieta Sulo, nëse ka ndodhur ndonjëherë që të vijë me vonesë për edicionin e lajmeve, Paço ka rikujtuar duke thënë:
“Ka ndodhur vjet, kur unë nuk e dija që kisha edicionin e orës 12:00 të drekës. Tani e kujtoj me të qeshura por në atë kohë kanë qënë momente shumë të sikletshme. Nuk e dija që isha në atë orar pasi gjithmonë kam qenë në orën 19:30 edhe truri im ishte stakuar që në atë orar kam lajmet sepse të shndërrohet në një rutinë. Ka ndodhur vjet, më 26 gusht, dhe kisha orarin e drekës së ditës së dielë që nuk e kam patur kurrë. Isha në shtëpi kur më merr regjisorja në telefon dhe më thotë hajde në studio. Unë gjendesha në shtëpi dhe ora ishte 11:55. Si përfundim mbërrita por isha 15 minuta me vonesë, një gjë e rrallë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë por është njerëzore”.
Gazetari i njohur ka treguar se si ndëshkim ka ndenjur një muaj pa punë, duke u pezulluar.
“Qëndrova një muaj pa punë si ndëshkim. Nuk më erdhi mirë sigurisht pasi ishte diçka njerëzore”.
Paço gjithashtu kujton me shaka se rastësisht më 26 gushtin e këtij viti, i kishte qëlluar të kishte edicionin e orës 12:00 por që sigurisht është paraqitur në orar pas “mësimit” që mori vitin e kaluar.