Vera Kotorri nuk është gjyshja tradicionale që jemi mësuar të shohim. Ajo është gjyshja me veshje shumëngjyrëshe, të kombinuara bukur të cilat i poston në Instagram pa asnjë vështirësi. Nëna e blogeres së njohur Anxhelina Kotorri ndan të njëjtin pasion me të bijën, por shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan stigmën rreth të qenurit “gjyshja e Instagramit”.
Vera Kotorri: E vështirë ka qenë për mua faktikisht. Unë qëkur jam bërë krushkë ka qenë e vështirë.
Katerina Trungu: Pse?
Vera Kotorri: Po, edhe qëkur jam bërë krushkë, pastaj më vonë kur jam bërë gjyshe. Të gjithë ma bënin këtë pyetje që “Vera, je bërë krushkë, prapë kështu do vazhdosh ti me Instagramin?” Nuk e di i thosha unë, do vazhdoj se unë e kam këtu përbrenda, edhe të dua ta lë nuk e lë dot. Ose edhe të dua ta lë, mua nuk më lë vajza tani, më tërheq nga mbrapa gjithmonë, unë eci gjithmonë mbrapa Anxhelës. Edhe kur u bëra gjyshe, “po na moj se u bëre gjyshe”. Edhe bashkëshorti ndonjëherë ma hedh, “po na moj se gjyshe”.
Katerina Trungu: Si duhet të jetë gjyshja sipas tyre?
Vera Kotorri: Po nuk e di, është turp i them unë që të hedh unë foto në Instagram? Nuk është turp, kështu që unë do ta bëj edhe rolin e gjyshes, edhe do të mbaj Instagramin.
Vera shprehet se stili i saj të jetesës nuk ndërhyn te pjesa e të qenurit gjyshe, madje e përfshin edhe nipin duke krijuar një ndërthurje mes të dyjave.
Vera Kotorri: Unë madje sa herë marr nipin që kemi dalë, unë është e pamundur mos të hedh foto ose mos të hedh Story. Sado më flasin të gjithë se ta marrin mësysh, se ta bëjnë kështu, gjithsesi unë e vazhdoj atë rutinën time të ditës dhe e shijoj shumë./tvklan.al