Edhe pse zyrtarisht ju është komunikuar se regjistri online do të jetë i vetmi mjet pune, jo të gjithë mësuesit mund të logohen në platformën digjitale SMIP.al dhe vlerësimin e nxënësve po e kryejnë në ditarin e tyre personal.
“Smipi nuk është akoma funksional, pasi administratorët e shkollave po hedhin të dhënat për klasat, mësuesit, e pastaj mësuesit do të logohen për të hedhur notat. Unë po i mbaj vlerësimet në fletoren time personale, por regjistri i letrës është i rëndësishëm se ku nuk funksionon SMIP, si do i bëj matjet e punës drejtoria, do marr për bazë fletoren time?”– tha Alma Lama- Kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Tiranë.
Arsimtarët mbështesin vendimin për digjitalizimin e institucioneve arsimore, por mendojnë se mënyra si po realizohet është e nxituar dhe arbitrare, kur ata nuk i kanë kushtet për të punuar vetëm online, pa pasur në të njëjtën kohë edhe regjistrin e letrës.
“Ne nuk jemi kundër informatizimit, por ministria e arsimit dhe strukturat varëse duhet të kuptojnë se a është ky realiteti që i përgjigjet dëshirës? Ne nuk kemi infrastrukturën e duhur, s’kemi kompjutera në shkolla”– tha Alma Lama.
Mësuesja e kimisë, gjithashtu edhe përfaqësuese e sindikatës së pavarur të arsimit në tiranë, Alma Lama, kujton përvojën e mundimshme vjet të testimit të regjistrit online, i cili u krye përgjithësisht jashtë orarit mësimor e ambjenteve të shkollave.
“Ne nuk duhet të përfundojmë si vjet, u kthyem qesharakë duke e përdorur SMIP-in në shtëpi, ose ata që nuk kishin mjete teknologjike mësuesit përfundonin në kancelari. Ka edhe shkolla që u ofrojnë asistencë në laboratorët e informatikës, por jo të gjitha i kanë kushtet”.- tha Alma Lama.
Ndër të tjera, kryesindikalistja tregon se regjistri i klasës nuk mund të zëvendësohet me një platformë online, duke marr në konsideratë sulmet kibernetike që rrezikojnë edhe zhdukjen e të dhënave të shkollës.
“Është detyrim ligjor, në urdhër- rregullore që regjistri i klasës të ruhet për 10 vite”- tha Alma Lama.