Emisioni Stop në Tv Klan trajtoi rastin e klinikës dentare “Risus” në Tiranë, ku çifti i bashkëshortëve stomatologëve Julian dhe Enerjeta Sulaj trajtuan gabim një paciente duke i shkaktuar probleme të mëtejshme shëndetësore.
“Filloj me nenin 19, përkushtimi dhe sjellja ku mjeku stomatolog është i detyruar t’i garantojë të sëmurit përkushtim, sjellje të mirë dhe të ruajë standardet profesionale pa abuzuar mbi të sëmurin nga ana fizike apo emocionale ose materiale, që mendoj që ka ndodhur në rastin tim. Mjeku duhet të jetë i kujdesshëm dhe racional me ndërhyrje dhe procedura diagnostikuese dhe mjekuese. Nuk e di në këtë rast se sa kompetent ishte që të më bënte një kirurgji, duhet parë dhe kjo. E drejta e të sëmurit për t’u informuar, që e ka shkelur duke më bllokuar në WhatsApp. Informimi i të sëmurit dhe marrja e pëlqimit apo refuzimi i tij shprehen me shkrim në dosjen të të sëmurit dhe firmosen nga ai. Unë nuk besoj që ka një dosje klinike timen atje dhe unë nuk kam firmosur asgjë në atë klinikë. Duhet t’i shpjegohet se çfarë ka ndodhur dhe mundësisht t’i kërkohet të falur atij, gjë që prisja të parën faktikisht dhe nuk ndodhi nga z.Julian Sulaj”, thotë denoncuesja.
Për gabimin e mjekut stomatolog Julian Sulaj, gazetarja e Stop ka mundur të bisedojë me të. Ai pranon gabimin që nuk i bëri grafi pacientes dhe i jep 1 milion Lekë të vjetra si dëmshpërblim, që ajo të ribëjë procedurën.
Stomatologu Julian Sulaj: Erdhi tek unë, ia thashë, ramë dakord me njëri tjetrin, që nëqoftëse zonjës, do ia bëja mbushje dhe do t’i lidhej kurora me pjesën e thyer, do t’i vishesh me këllëf. Dhe ajo pacientja, që ke ti aty, është adulte dhe nuk e detyroi njeri ta bëjë pa grafi. Ishte dëshira e pacientes për të mos bërë grafi. Tani, ky gabim u bë! E ndjeja, që e kam bërë, se është faji im. I kam thënë zonjës në fjalë, që kjo është e të dyve neve. Ti, që nuk bëre grafinë, dhe unë, që këmbëngula, që nuk bëre grafinë.
Pacientja falenderon emisionin Stop që zgjidhi rastin dhe mundi të marrë dëmshpërblimin nga klinika dentare.
“Unë kisha disa javë që isha përpjekur të komunikoja, më në fund arritëm të flisnim, të komunikonim, të sqaroheshim, mora mbrapsht pagesën dhe tani do vazhdoj trajtimin në dentistë të tjerë. Ju falenderoj shumë. Nuk e mendova që e gjithë kjo do zgjidhej brenda 60 minutave”, thotë ajo.
Por a kanë licencë stomatologët në fjalë, për të ushtruar profesionin? Orieta Musabelli, Sekretare e Urdhrit të Stomatologut Shqiptar shprehet se Enerjeta dhe Julian Sulaj nuk janë të licencuar nga USSH por pasi gazetarja e “Stop” ngriti problemin, ata u paraqitën per t’u pajisur me licensë.
“Z.Julian Sulaj dhe bashkëshortja Enerjeta Sulaj nuk janë të licencuar pranë Urdhrit të Stomatologut Shqiptar. Pasi ky rast u ndoq nga emisioni juaj, të dy janë paraqitur për procedurat e rilicencimit. Nisur nga ky rast, ju bëj thirrje gjithë qytetarëve, para se të uleni në poltron si pacient të jeni të interesuar dhe t’i kërkoni mjekut stomatolog licencën, të jetë e varur në mur dhe të jetë brenda afateve ligjore të parashikuara pranë nenit 127 të Urdhrit Stomatologut Shqiptar”, u shpreh Sekretarja e Urdhrit të Stomatologut.
Musabelli u bën thirrje qytetarëve që para se të shkojne tek dentistët, të interesohen nëse këta të fundit kanë licencë apo jo.