Presidenti Ilir Meta iu drejtua me një mesazh të fortë kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa komentoi protestën e dhunshme të 8 janarit.

I pyetur nga gazetarët nëse i jep të drejtë Bashës apo Berishës për protestën, Meta iu drejtua kryedemokratit, duke i thënë se “Po ti mo zotëri, nëse do të shpëtosh partinë tënde e të tregosh se je ndryshe nga Berisha, Rama e Meta, afroheni një javë para Kuvendin”.

Ndërsa për Berishën, Meta tha se e ka shprehur hapur që ka dobësi për të, por ai shtoi se nuk është dakord me parullën e tij se revolucionin një ditë e drejtojmë e një ditë na drejton.

“Të mos shmangemi nga thelbi i çështjes, presidenti është vënë në lëvizje për t’i dhënë bashkive kryetarë, dëshira ime ishte që të kishim zgjedhje lokale në të gjithë vendin. Unë jam njeri që marr përgjegjësi, nuk mund t’ia lija këtë barrë pasardhësit tim.

Më fal që po jua them, nuk mendoj se është një problem mes Bashës dhe Berishës, është një problem i shkatërrimit të llogaridhënies edhe mes brenda vetë PD. Pse e mendoj kështu, unë kam qenë kryeministër i Shqipërisë, kam fituar edhe ndaj Fatos Nanos, dhe unë e dhashë dorëheqjen për të dhënë një zgjidhje politike.

Kemi të bëjmë me një krizë legjitimiteti, dualizmi, është e vërtetë që zotëria është zgjedhur në krye të PD në Qershor, është zgjedhur se ka pasur mbështetjen e Berishës, dhe të gjithë deputetëve të tjerë, papritur këta njerëz ia heqin këtë përkrahje, dhe ia heqin mbështetjen.

Ata mund të jenë pa asnjë votë, por ama është detyra e tij që të rikthejë legjitimitetin, shpalli një Kuvend, ku nuk vuri në rend dite as votëbesimin e tij.

A shkojnë këto pamje, këta janë këmishzinj, këto janë struktura paramilitare, kjo është zgjidhja? Nuk është zgjidhja as parrulla revolucionin një ditë e drejtojmë një ditë na drejton. Ju e dini simpatinë time për doktorin, por nuk mund të drejtosh revolucionin një ditë po një ditë jo. Ju e keni parë, që kur bën një organizim të tillë, duhet ta drejtosh nga fillimi deri në fund.

Kjo është një histori e vjetër, thjesht ndryshon vendi ku bëhet përplasja. Vazhdojnë koncensionet pa fund, kjo situatë i shërben kapjes së shtetit, që duhet të niste me vendosjen e llogaridhënies brenda opozitës, ai që është shumicë, është shumicë, ai tjetri mund të shkojë dhe të krijojë një parti të re.

Dua tiu them demokratëve kudo që janë, që dy herë të paktën kam bërë çdo gjë për të shpëtuar PD-në pasi kam menduar se është një forcë me kontribute historike për vendin tonë.”, u shpreh Meta.