Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit, i dhanë një mesazh mjaft të qartë, jo vetëm Lulzim Bashës por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, në misionin për shkatërrimin e Partisë Demokratike.

Edhe pse Basha dhe “servilët” e tij nuk lanë studio televizive pa dalë, duke thënë se “Ne jemi PD e vërtetë, ne kemi shumicën”, e të tjera broçkulla si këto.

Por, mesazhin më të qartë e morën në zgjedhje, ku jo vetëm që nuk morën asnjë bashki, por partia e Lulzim Bashës u katandis forcë e tretë politike.

Një humbje e turpshme kjo për Lulzim Bashën, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Por, çfarë ndodh?
Disa nga bashkëfajtorët e tij, po tentojnë të fshehin kokën si “struci”, duke tentuar shfajësohen pas të ashtuquajturës “dorëheqje”.

Deputetët Grida Duma, Agron Gjekmarkaj, apo dhe Flutura Açka kanë dalë publikisht duke deklaruar “dorëheqjen” nga funksionet e tyre në PD. Që në fakt është dorëheqje nga asgjëja. Kjo për faktin se janë të shkarkuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit.

Por, sa për të hedhur hi syve qytetarëve, dalin e bëjnë “parimorin”, duke thënë se “ne po japim dorëheqjen”.

Por, nëse vërtetë janë kaq parimorë sa tentojnë të shiten, pse nuk largohen nga grupi parlamentar i Lulzim Bashës?

Por, pas këtyre “parimorëve” të mëdhenj që pasi sulmuan demokratët me gaz lotjsjellës apo me shkop, qëndron një tjetër grup.

Disa nga bashkëpunëtorët e Lulzim Bashës, tashmë të turpëruar nga humbja e 6 marsit janë zhdukur.

Enkelejd Alibeaj, “supermeni” i Lulzim Bashës i cili mban pesë detyra, apo edhe e besuara e Lulit, Jorida Tabaku nuk kanë thënë asnjë gjysëm fjale për krizën në PD.

Nga ana tjetër i heshtur ka qëndruar edhe Gazment Bardhi, krahu i djathtë i Lulzim Bashës.

Nëse shikon profilin e tij në rrjetet sociale, postimi i fundit i Gazment Bardhit në faqen e tij është në 5 Mars. Pra, një ditë para zgjedhjeve të gjashtë marsit.

I gjendur i turpëruar, Bardhi ende nuk i është bashkuar grupit të të “dorëhequrve”, por është fshehur diku në një skutë e bën të pafajshmin.

E vetmja dalje e tij mediatike është pasditen e 7 Marsit, ku ka mbajtur vetëm një prononcim të shkurtër për mediat.

Në fjalën e tij Bardhi, tentoi të justifikojë humbjen e turpshme, ndërsa theksoi se “është koha për reflektim”.

“Mirënjohje për 6 kandidatet për sakrificën për betejën e jashtëzakonshme, sapo po kthehem nga bashkia Lushnjë ku kam ndjekur fushatën, ndjej trishtim që kam parë demokratë që ndiejnë urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Ndiej trishtim që kam parë demokratë që nuk flisnin me njëri tjetrin, edhe pse kanë punuar 8 vite bashkë. Sot nuk është dita për të evidentuar përgjegjësinë, por për reflektim”, tha Bardhi.

Sot është data 10 mars, kanë kaluar 4 ditë nga dështimi i radhës i Bashës & Co, dhe ende nuk ka asnjë reagim tjetër nga Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi, i cili ishte i pari që bënte “avokatin” e Lulzim Bashës kur blindoi selinë apo ndryshoi bravat, sot është “zhdukur” dhe ka të paktën 4 ditë qe nuk del më të bëjë avokatinë publike të kryetarit të tij./CNA.al