Prej vitesh ka qenë pjesë e emisioneve të humorit si ‘Portokalli’ dhe së fundmi ‘Klanifornia’, por tashmë aktorja Delinda Disha ka nisur një aventurë të re, duke ardhur në ekran si moderatore. Këtë sezon Delindën e kemi parë si moderatoren e një emisioni investigativ, konkretisht në emisionin ‘Xhadat’ krah moderatores Fiori Dardha.

Gjatë një interviste të dhënë në “Natë me Aulonën”, Delinda u shpreh se ka marrë shumë reagime për largimin e saj nga “Klanifornia” drejt një emisioni komplet ndryshe.

Gjithashtu moderatorja shtoi se propozimi fillimisht i ka ardhur nga Fjori Dardha, me të cilën zbuloi se kishte njohje më përpara.

“Ishte e çuditshme dhe e papritur. I njejti fenomen ka ndodhur edhe kur ika na “Portokallia” për të shkuar te “Klanifornia” dhe me sa duket po ndodh përsëri i njëjti reagim. Mbyllëm sezonin, ishte shumë i suksesshëm në “Klanifornia”, mua më erdhi propozimi nga televizioni dhe konkretisht nga Fjori.

Me Fjorin njihemi edhe më përpara. Ishte një propozim që më pëlqeu duke analizuar edhe situatën e kabaretit, që të them të drejtën nuk është në kohët e tij më të mira. Bëmë një audicion, me sa duket isha e lindur për këtë gjë. Jam shumë mirë, është diçka që nuk sforcohem. Pas puntatës së parë isha kurioze për reagimin e publikut, dhe komentet kanë qenë shumë pozitive”– tregoi aktorja e humorit.

Më tej duke folur për raportin e saj me bashkë-prezantuesen e “Xhadat”, Delinda tha se kuptohen shumë mirë dhe ndjehet shumë mirë me Fjorin. Por kjo e fundit ka qenë krah Rozana Radit prej vitesh teksa nuk dihet arsyeja se përse Rozana është larguar nga emisioni. E pyetur në lidhje me krahasimet që i bën publiku asaj me Rozana Radin, Delinda tha se “nuk mërzitet” dhe i pranon.