Xhulia Selfollari, një prej të ftuarave në “Shije Shtëpie” në Tv Klan tregon në program rrugëtimin e saj të dobësimit.

Pesha e saj ishte 125 kg dhe pavarësisht palestrës, ajo nuk arrinte në numrin që dëshironte, ndaj zgjodhi ndërhyrjen e prerjes së stomakut.

Këtë ndërhyrje e kreu në Greqi ku iu hoq rreth 80% e stomakut. Për 6 muaj, Xhulia humbi drastikisht peshë, rreth 45 kg, por ajo thekson se asokohe nuk kishte asnjë informacion për ndërhyrjen. Para saj, siç u shpjegua gjatë programit, është një listë e gjatë rreziqesh që merren përsipër në planin afatgjatë dhe një protokoll i veçantë për trajtimin pas përfundimit.

Xhulia shpjegon se nuk ishte në dijeni të këtyre pasi e vetmja gjë që donte atëherë ishte të humbiste peshë e madje edhe do ta ribënte sërish, pavarësisht ndërlikimeve që pati më vonë.

Katerina Trungu: Do ta ribëje si ndërhyrje tani që e ke parë edhe si është?

Xhulia Selfollari: Unë personalisht do ta bëja pavarësisht se dy muajt e parë kam patur vuajtje të papara, sidomos në luhatjen e tensionit sa shkoja vetë në qendrën, ambulancën e lagjes që të merrja serum sepse rastisi edhe periudhë, po ia hedh unë fajin, vere, që ndikonte edhe vapa. Nuk isha mirë me tensionin dhe automatikisht nuk bëja dot asgjë.

Me zor ecja, me zor qëndroja. Kurse të tjerëve kur më pyesin, iu them që për mua është një gjë shumë e mirë që i kam bërë vetes, ndoshta më e mira që kam bërë për veten time, por duhet të pyesin shumë përpara dhe të marrin parasysh shumë risqet, gjërat që i vijnë më shumë dhe duhet të bindin veten që ta zbatojnë atë planin ushqimor që i japin.