Tre persona u arrestuan nga Policia e Tiranës pasi falsifikonin dokumente të rëndësishme, nga karta identiteti, diploma, kartela sigurie, certifikata pronësie, në këmbim të të cilave merrnin shuma të majme.
Në pranga ranë Gëzim Xhafa 64 vjeç, Artur Bramo 59 vjeç dhe Shpëtim Bega 59 vjeç të tre banues në Tiranë. Në ambientin të cilin të arrestuarit e kishin kthyer në laborator të falsifikimit policia gjeti celularë, skanera, usb, lap top, printera dhe shumë dokumente të rëndësishme të falsifikuara, përfshi edhe kartëmonedha false. Prokuroria e Tiranës që ka hetuar për çështjen, ka futur edhe bashkëpunëtorë të saj që ka vëzhguar, përgjuar dhe madje ka lidhur edhe marrëveshje me grupin e falsifikatorëve duke bërë blerje të simuluara në 4 raste nga 3 të arrestuarit.
Hetimet e udhëhequra nga prokurori Bledar Valikaj vijojnë pasi organi i akuzës dyshon se të gjithë personat që kanë paguar për të marrë dokumentet e falsifikuara dyshohet se i kanë përdorur për të përfituar pasuri, për t’i shpëtuar kërkimit apo për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme kriminale. E gjitha është faktuar me përgjime që agjenti i kamufluar ka bërë me të arrestuarit në takime gjatë tetorit dhe nëntorit të këtij viti.
Përurimi i punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, do quhet 'Zemra e Tiranës', Rama: Gur i çmuar, do organizohen aktivitete ndërkombëtare
Skema që përdornin
Në bazë të informacioneve ka rezultuar se , Artur Bramo dhe Shpëtim Bega merreshin me falsifikimin e dokumenteve zyrtare të llojit pasaporta, karta identiteti bullgare, karta identiteti shqiptare, patenta dhe diploma shkollore etj.. kundrejt pagesave. Këtë aktivitet e kryen në bashkëpunim me Gëzim Xhafës. Së bashku realizonin dhe ndryshimin e mbiemrit të personit në certifikata personale, ose familjare, me qëllim kalimin në drejtim të vendeve të BE, në rastet kur personi ka marrë edhe ekspuls në këto vende. E gjithë kjo skemë bëhej në një laborator të zbuluar në qendër të Tiranës, në zonën e ‘Myslym Shyrit’, ku dhe kishin banesat personat e arrestuar. Sipas përgjimeve, Bramo thotë se ishte më i humburi në rrjetin e falsifikatorëve.
B-po i mori të gjitha ai.
A-S’të dha gjë ty?
B- Asnjë gjë.
A-Po o vëlla ti a je në pazar me ta?
B-Po ça pazari mo, me atë jam nuk i njeh mirë ti se ca janë!
Nga ana tjetër, në këtë skemë është i përfshirë edhe Shpëtim Bega, i cili luan rolin e ndërmjetësit për gjetjen e klientëve për Gëzim Xhafën. Në dosje përmendet edhe një person i identifikuar si Mustafa Rushiti, (jo i arrestuar) edhe ky ka rol për gjetjen e personave që kërkojnë të sigurojnë dokumentet e falsifikuara, si dhe realizon lidhjen e tyre me Gëzim Xhafën.
Shpëtim Mustafa ka qenë i arrestuar edhe më herët në 2009 për të njëjtën vepër “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi i janë kapur pasaporta bullgare dhe një sasi dokumentash të dyshuara të falsifikuara, e ndërsa edhe Mustafa Rushiti ka precedentë penal. Kjo sepse në 2001, në dyqan i tij iu gjetën dokumente shtetërore të paplotësuara si dëshmi aftësie automjeti, leje qarkullimi, vërtetime bankare të kursime me vulë e me firmë të cilat përdoren për falsifikim.
Pagesat, nga 7 mijë lekë për patentën në 600 euro për dëftesa
Pagesat e dokumenteve të falsifikuara variojnë sipas llojit të dokumentit të kërkuar si, për sigurimin e dëftesës së shkollës së mesme të falsifikuar pagesa shkon në 11.000 lekë, për falsifikimin e diplomës të shkollës së lartë pagesa është 600 euro, për falsifikimin e lejes së drejtimit pagesa është 7.000 lekë, për falsifikimin e kartës së identitetit shqiptare pagesa është 6.000 lekë. Dyshohet se shtetasi Gëzim Xhafa falsfikimin e dokumentave zyrtare e kryen në banesën e tij, e cila ndodhet në rrugën “Gani Luzi”, në Tiranë.
Kodi për dokumentet ishte zgjedhur domatja.
A-Po të marr në telefon.
B-Të vi të mar ato, vi të mor domatet thuj.
Në ambientet ku kryheshin falsifikimet u gjetën pajise të ndryshme të vendosura në funksion të këtij aktiviteti si: skanerë, pajisje ‘usb’, njësi kompjuterike, printerë. Kishte dhe karta identiteti, diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme, të cilat ishin falsifikuar në këtë laborator. Xhafa, Bramo dhe Bega akuzohet për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve", "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave" dhe "Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve", Materialet procedurale lidhur me këtë çështje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



