Mësuesja e Bio-Kimisë Pranvera Musta ka një jetë të tërë që punon në arsim, në të njëjtën shkollë dhe edukon breza të tërë nxënësish.
Ajo ka një karrierë të gjatë në arsim dhe është përzgedhur nga emisioni “Opinion” në Tv Klan në një listë të gjatë mësuesish.
Më shumë se 20 vite në arsim, mësuese Pranvera Musta vijon të mbetet besnike e shkollës “Gjon Ndoci” në Bushat, aty ku ka nisur punë për herë të parë.
Mësuesja e Bio-Kimisë vazhdon t’i mbetet gjithashtu besnike nxënësve dhe komunitetit të saj, ndërsa tashmë shumë prej tyre kanë lënë bankat e shkollës dhe janë diplomuar duke punuar si mjekë, inxhinierë apo profesionistë të tjerë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë.
Pranvera Musta: Unë kam 22 vite në shkollën 9-vjeçare në Bushat, e cila i përket zyrës arsimore Vau i Dejës, mësuese Bio-Kimie, unë e kam pasion. Në fillimet e mia unë nuk kam dashur që të bëhem mësuese.
Blendi Fevziu: Si nuk ke dashur që të bëhesh mësuese?
Pranvera Musta: Nuk e kam pasur me dëshirë pasi kam pasur atë profesionin e mjekes, por pasi u bëra mësuese që studiova për mësuesi, pashë që ishte një pasion dhe një dashuri e jashtëzakonshme.
Blendi Fevziu: A është e vështirë puna me fëmijët sot?
Pranvera Musta: Sot është më e vështirë.
Blendi Fevziu: Pse?
Pranvera Musta: Është menaxhimi, është t’i rrisësh interesin nxënësit për orën mësimore. Lënda e Bio-Kimisë është një lëndë që të jep variacion për eksperimentet e Kimisë.
Blendi Fevziu: A janë të dëgjueshëm nxënësit?
Pranvera Musta: Zona jonë është zonë e mirë. E kanë pasionin për arsimin, e ruajnë pasionin për arsimin. Këto nxënës që ju shikoni këtu janë nxënës të cilët studiojnë pasi mbarojnë shkollën tonë jo vetëm në universitetet më të mira shtetërore, por edhe private në Shqipëri, por studiojnë edhe jashtë shtetit. Ndoshta dhe ju kam injektuar këtë dashurinë për Biologjinë dhe Kiminë, studiojnë degët e Mjekësisë, degët e Inxhinierisë.
Mësuesja e Bio-Kimisë, Pranvera Musta tregon vështirësitë me të cilat është ndeshur gjatë karrierës së saj në arsim, ku veçon periudhën e pandemisë. Mësuese Musta rrëfen se në atë periudhë ka realizuar video mësimore me eksperimente Kimie në ambientet e shtëpisë në bazë të temës mësimore.
Blendi Fevziu: Kush është vështirësia më e madhe për një mësues sot?
Pranvera Musta: Vështirësia më e madhe me një mësues është që sot mësuesi duhet të përditësohet, të ecë me hapin, para nxënësve. Sfidë ishte për shembull puna në pandemi kur ne u bllokuam për momentin, por të nesërmen duhet të jepnim mësimin. Unë personalisht gjithë natën kam bërë video mësimore sepse do shpjegoja Kimi, por Kimia nuk shpjegohet ashtu online. Bëja video mësimore bashkë me fëmijët e mi sepse ato më regjistronin, unë bëja eksperimente.
Blendi Fevziu: (Qesh) Fëmijët i vure që të të regjistronin?
Pranvera Musta: Unë bëja eksperimente në kuzhinë, eksperimente kimie në bazë të temës mësimore që do të kisha të nesërmen dhe iu dërgoja nxënësve të nesërmen që ata ta shikonin gjatë kohës për ta shikuar si koncept. Ecëm dhe ia dolëm.
Mësuese Pranvera Musta flet për zonën në të cilën jep mësim prej 22 vitesh, atë të Bushatit për të cilën thotë se nuk është zonë e varfër dhe komuniteti i Bushatit është arsimdashës dhe figurën e mësuesit e kanë qëndrore në edukimin e fëmijëve.
Blendi Fevziu: A është zonë e varfër?
Pranvera Musta: Jo, nuk është zonë e varfër. Zona e Bushatit nuk është zonë e varfër.
Blendi Fevziu: E kanë dëshirën vetë për të mësuar?
Pranvera Musta: Po, ata e kanë vetë dëshirën për të mësuar.
Blendi Fevziu: Po familjet e kanë atë pasionin që kanë pasur dikur për t’i shkolluar fëmijët?
Pranvera Musta: Blendi, e ke të sinqertë këtë që po them tani: Komuniteti i Bushatit është komunitet arsimdashës, është komunitet që figurën e mësuesit e ka figurë qëndrore në edukimin e fëmijës.
Mësuese Pranvera Musta tregon se arsimin e do dhe po ashtu punën e saj e bën me pasion. Mësuese Musta thotë se çdo orë mësimi e ka emocionuese për veten e saj dhe për nxënësit teksa thotë se në këtë mënyrë ia ka dalë.
Blendi Fevziu: Nuk je mërzitur pas 22 vjetësh?
Pranvera Musta: Unë nuk mërzitem, në arsim unë nuk mërzitem, unë e dua arsimin, unë e dua punën time dhe kur ti e do punën tënde që e bën me pasion, nuk mërzitesh. Unë ato nxënësit aty kur më shohin në sy për dijen që unë dua të jap, unë e marr një përgjegjësi të madhe. Çdo orë mësimi e kam emocionuese për veten time në radhë të parë, por edhe për nxënësit dhe ashtu ja kam dalë.
Blendi Fevziu: Atëherë unë të falenderoj shumë sot.
Ka shumë gjëra në jetë që vijnë dhe shkojë dhe harrohen, kurse mësuesit nuk harrohen kurrë dhe një nga ata është edhe mësuese Pranvera Musta./tvklan.al



