Baza Ajrore e Gjadrit është ndërtuar pas disa vitesh punë të xhenierëve, të mijëra punëtorëve nga Shkodra, Lezha e rrethinat e tyre, si dhe e mjaft specialistëve nga i gjithë vendi.
Pista e fluturimit shtrihet në Fushën e Zadrimës, pranë fshatit të Gjadrit.

Në këtë Bazë, përveç avionëve që ishin të detyruar të rrinin në gatishmëri në aerodrom, gjithçka tjetër ishte planifikuar që të qëndronte e futur dhe e ruajtur në një tunel madhështor, të ndërtuar në formën e gërmës “U”, brenda malit të Kakarriqit, me hyrje e dalje në të dy krahët.

Sot vihet se re se pista 3.5 kilometra e gjatë, në të gjithë gjatësinë e saj është rrethuar nga barrierë betoni, të vendosura 50 metër larg njëra-tjetrës.
Zef Vokaj një ndër banorët më të vjetër të Gjadrit tregon se në fshat nuk është më gjallëria e dikurshme që ia jepnin asaj disa qindra oficerë, nënoficerë, civilë e ushtarë që shërbenin aty.
Baza e Gjadrit, përveç pistës kryesore me kulla komandimi në të dy anët e saj për t’u përdorur sipas rastit, kishte edhe pistën urgjente, të destinuar për situata të jashtëzakonshme lufte, prej ku avionët mund të ngriheshin direkt nga tuneli ku ishin vendosur.

Fondet e shpenzimeve në periudhën e ndërtimit të saj nuk kalonin nëpërmjet llogarisë së bankës së qytetit të Lezhës, por nëpërmjet një kanali të veçantë, që në atë kohë quhej “Kanali ushtarak”. Sot Baza është e qetë dhe e mbyllur, e ruajtur në masa sigurie.