Vijojnë lëvizjet në Policinë e Shtetit. MAPO mëson se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka firmosur jo pak, por plot 10 lëvizje në Policinë e Tiranës dhe drejtoritë e rretheve.

Pas shkarkimit të Kastriot Skënderajt si drejtor i Policisë së Tiranës, lëvizjet vijojnë edhe në komisariate. Kështu burime për MAPO saktësojnë se shef i komisaratit nr. 3 në Tiranë është emëruar Edmond Meshini. Ndërsa Edvin Ndreu pritet që të marrë emërimin si nëndrejtor krimesh në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Në Durrës është emëruar shef komisariati Ylli Doda, ndërsa Arjan Doda shkon si nëndrejtor i policisë së Qarkut Durrës. Në Elbasan shkon si shef komisariati Vullnet Sila. Po kështu Henigert Mitri, i cili ishte shef komisariati në Burrel, shkon shef Komisariati në Fier. Në Burrel ndërkohë shkon shef Ilirjan Demaj. Ndryshim i rëndësishëm është bërë dhe në Vlorë, ku Artur Selimi, ish-shef komisariati në Fier emërohet nëndrejtor për Rendin në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

Lëvizje ka edhe në policinë e Rrëshenit ku Alfred Cenaj është emëruar shef komisariati. Edhe shefat e komisariateve në Durrës, Lushnje, Elbasan etj, janë shkarkuar. Syrja Bellaj është emëruar ditën e djeshme në krye të Komisaritatit të Sarandës. Bellaj ka mbajtur detyrë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë si ekspert i kriminalistikës. Gjithashtu Drejtori i Policisë Durrësit Alfred Çepe pritet të largohet nga detyra.

Gjithashtu janë edhe më shumë se 30 lëvizje të tjera në Polici që janë firmosur, por mbahen të fshehta nga drejtuesit e Policisë. Burime të Gazetës MAPO theksojnë se ndrsyhimet janë kërkuar nga ministri i Brendshëm.